Një operacion i përbashkët kundër trafikut të armëve, trafikut të drogës, emigrantëve dhe trafikut të qenieve njerëzore, si edhe goditjen e rrjeteve kriminale me rrezikshmëri të lartë është ndërmarrë në 26 vende, përfshirë këtu edhe Shqipërinë.
Nga 566 persona të arrestuar në BE, 28 prej tyre janë kapur në vendin tonë.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla thotë se nga ky operacion në Shqipëri janë sekuestruar armë zjarri, municion luftarak, 81 kg lënde narkotike canabis dhe shumë doza kokainë.
Operacioni u zhvillua me mbështetjen e Europol, Interpol, Eurojust, Frontex, ndërsa nga Policia e Shtetit janë angazhuar 315 punonjës, ndërsa janë kontrolluar 2648 subjekte, 1525 persona, 987 mjete, 40 pako postare dhe 92 ambiente.
“Policia e Shtetit pjesë e operacionit ndërkombëtar EMPACT JAD 2023, i cili u zhvillua njëkohësisht në 26 vende të Europës, me mbështetjen e Europol, Interpol, Eurojust, Frontex, Agjencisë Europiane të Rojës Kufitare dhe të agjencive të tjera ligjzbatuese ndërkombëtare. Operacioni kishte në shënjestër rrjete të trafikimit të armëve të zjarrit, të lëndëve narkotike, të emigrantëve si dhe goditjen e rrjeteve kriminale me rrezikshmëri të lartë.
Në Shqipëri operacioni u koordinua nga Drejtoria e Europol, duke angazhuar në total 315 punonjës të Policisë së Shtetit për kontrollin e 2648 subjekteve, 1525 shtetasve, 987 mjeteve, 40 pakove postare dhe 92 ambienteve. Në vendin tonë u arrestuan 28 shtetas, u sekuestruan armë zjarri, municion luftarak, 81 kg lënde narkotike canabis dhe shumë doza kokainë. Në total në 26 vendet europiane, gjatë këtij operacioni janë arrestuar 566 shtetas (218 për trafikimin e personave, 186 për trafikimin e drogës, 69 për trafikimin e armëve, 89 për krime të tjera); janë sekuestruar 310 armë zjarri, municion luftarak dhe rreth 1 ton drogë (626 kg kokainë, gati 300 kg cannabis, heroinë dhe lëndë të tjera narkotike”, shkruan Balla.