Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç i kërkoi të dielën një grupi udhëheqësish të opozitës t’i japin fund grevës së urisë, një javë pas zgjedhjeve parlamentare, fituese e të cilave doli Partia Përparimtare Serbe në pushtet.
“Pra, le t’u kthehen detyrave të tyre, mund të organizojnë protesta çdo ditë. Mendoj se në nëntë vitet e kaluara, gati shtatë vjet kam protesta të përditshme para Presidencës. Çdo ditë kemi një lloj proteste”, tha presidenti serb.
Pesë udhëheqës të opozitës janë në grevë urie, pasi aleanca opozitare “Serbia kundër dhunës” paraqiti prova për mashtrime zgjedhore në Komisionin e Zgjedhjeve në Serbi. Opozita thotë se i është rrëmbyer fitorja për pushtetin lokal në Beograd dhe u ka kërkuar institucioneve evropiane të mos i njohin rezultatet e zgjedhjeve në Serbi, derisa të përfundojë një hetim i plotë ndërkombëtar për parregullsitë gjatë votimeve.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara thanë se procesi zgjedhor në Serbi duhet të përmirësohet ndjeshëm, ndërsa theksuan se funksionimi i duhur i institucioneve demokratike të Serbisë është në thelb të procesit të anëtarësimit të saj në bllok.
Të hënën Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë tha se “trysnia ndaj votuesve, angazhimi vendimtar i presidentit serb Aleksandar Vuçiç, si dhe përparësitë e partisë në pushtet kanë dëmtuar procesin zgjedhor në tërësi”.
Zyrtarët e pushtetit ngulën këmbë se zgjedhjet e parakohshme të 17 dhjetorit ishin të lira dhe të ndershme me gjithë kritikat dhe tensionet politike pas votimeve./VOA