Kreu i ish të përndjekurve politikë, Besim Ndregjoni i ftuar në studion e News24 ka folur lidhur me vizitën e delegacionit të kësaj shoqate në Vatikan.
Ndregjoni u shpreh se Papa Françesku zhvilloi me delegacionin një bisedë mbi gjendjen aktuale në Shqipëri, ndërsa atij iu raportua për bilancin tragjik të komunizmit.
Ai shtoi se Ati i Shenjtë u shpreh i tronditur nga kjo panoramë, pasi nuk kishte shumë njohuri lidhur me qëndresën e të përndjekurve politikë përballë diktaturës komuniste.
“Papa Françesku pati kënaqësinë të na ftonte në Vatikan dhe të zhvillonte një bisedë të vërtetë mbi gjendjen aktuale në Shqipëri. Ne i raportuam Papës atë që është një bilanc shumë tragjik lidhur me komunizmin. Ka një bilanc të burgosurish, të pushkatuarish dhe persekutuarish pa faj.
Papa u trondit shumë nga kjo panoramë. Ai nuk e dinte që veç klerikëve katolikë këtu janë vrarë dhe myslimanë e ortodoksë. Nuk kishte shumë njohuri për qëndresën që kanë bërë të përndjekurit politikë përballë asaj diktature”, u shpreh ai mes të tjerash.