Pas kryeministrit, synohet dhe presidenti shqiptar në RMV

Pas kryeministrit shqiptar, partia Bashkimi Demokratik për Integrim do të synojë që edhe në postin e presidentit të Maqedonisë së Veriut të jetë po ashtu një shqiptar. Një gjë të tillë e ka bërë me dije zv kryetari i partisë, Bujar Osmani, por nuk ka saktësuar se kur do të ndodhë kjo. Ai tha se me zgjedhjen e Talat Xhaferit si kryeministër teknik, posti i kreut të qeverisë në Shkup nuk do të jetë më një monopol.

LSDM ndërkaq ka njoftuar emrin e personit që do të zëvendësojë Talat Xhaferin në parlament. Partia në pushtet maqedonase ka propozuar për kryetar të parlamentit Jovan Mitreskin. “Emri i Talat Xhaferit për LSDM-në është i pranueshëm, duke marrë parasysh se kryetar i Kuvendit, që është gjtihashtu post serioz në shtet, do të jetë Jovan Mitreski, i cili do të jetë nga partia jonë dhe është i përkatësisë etnike maqedonase”, deklaroi Daniella Markovska – deputete e LSDM-së, raporton Alsat M.

Lajme të tjera |  Rrëzohet helikopteri në Itali: Tri viktima, mes tyre trashëgimtari i një familje të njohur

Ndërsa, VMRO DPMNE ka shprehur pakënaqësi në lidhje me zgjedhjen e Talat Xhaferit si kryeministër të Maqedonisë së Veriut, duke thënë se emri i tij nuk është i duhuri për këtë post. “Despoti nga Forina është personazh i njohur për publikun, që nga shkeljet e ligjeve dhe procedurave, deri te regjistrimet me të sharat dhe shpërthimet e tij të pahijshme, që nuk janë aspak material për kryeministër të një vendi si Maqedonia e Veriut, që ndodhet në krizë”, tha Naum Stoillkovski – zëdhënës i VMRO-DPMNE.

VMRO DMNE ka kërkuar edhe shfuqizimin e qeverisë teknike, por LSDM është përgjigjur, duke thënë se tashmë është tepër vonë dhe se për këtë mund të diskutohet vetëm pas zgjedhjeve të ardhshme. Nuk dihet nëse VMRO do të marrë pjesë në qeverinë teknike të vendit. Nga LSDM kanë thënë se nuk do të habiteshin, që edhe VMRO të kërkojë të jetë pjesë e qeverisjes teknike. Ndërkohë emri i Jovan Mitreskit si kryeparlamentar i ri pritet të konfirmohet nesër në seancën e Këshilli Ekzekutiv të LSDM-së. Më pas do të bëhet e ditur se kur deputetët do të votojnë për emrin e tij për të qenë në postin e kryetarit të parlamentit. Qeveria Teknike pritet të formohet më 28 janar.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us