“PD në krizë morale, protestat nuk prodhojnë gjë”, Kadilli: Opozita që lufton për karrige nuk vjen kurrë në pushtet!

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli, ka komentuar situatën politike në vend dhe gjendjen e opozitës gjatë ku shprehu kritika të forta ndaj mënyrës se si funksionon opozita dhe ndaj formës së protestave të organizuara prej saj.

Ai solli në vëmendje edhe pjesëmarrjen në protestat e fundit, duke e cilësuar atë të ulët në raport me numrin e anëtarëve të PD-së. “PD ka 22 mijë anëtarë vetëm në Tiranë, ndërsa në shesh nuk ishin më shumë se 4–5 mijë. Si ka mundësi që nuk nxirret as një e katërta e anëtarësisë së Tiranës?” tha Kadilli, duke e konsideruar këtë si tregues të krizës së opozitës.

Lajme të tjera |  Gjirokastra, destinacion elitar i turizmit shqiptar, Sula: Inspektorët do të pajisen me kamera inteligjente

Në vijim, ish-deputeti kritikoi ashpër mënyrën e funksionimit të brendshëm të Partisë Demokratike, duke theksuar mungesën e zgjedhjeve të ndershme dhe të meritokracisë. “Një parti që nuk bën dot votime të pakontestuara brenda vetes, që zgjedh besnikët dhe jo të zotët, nuk u thotë asgjë shqiptarëve,” u shpreh ai.

Kadilli foli edhe për humbjet elektorale të PD-së, duke deklaruar se drejtuesit e saj kanë dështuar të mbrojnë votën. “Nëse ua kanë vjedhur votat dhe nuk kanë ditur t’i mbrojnë, janë të paaftë. Kryetari i partisë nuk është inventarizues votash,” tha ai, duke shtuar se “nuk fitohet duke akuzuar tjetrin dhe nuk mund të shpresosh për rezultat ndryshe duke përdorur të njëjtit njerëz dhe të njëjtën rrugë”.

Sa i përket zgjidhjeve politike, Kadilli u shpreh kundër idesë së një qeverie teknike, duke deklaruar se ndryshimi duhet të vijë përmes një revolte të vërtetë qytetare. “Qeveria nuk rrëzohet me protesta partie, rrëzohet me protesta të popullit. Një opozitë që lufton vetëm për karriget e pushtetit nuk vjen kurrë në pushtet,” tha ai.

Lajme të tjera |  Një makinë për çdo tre shqiptarë, mbi 1 milion mjete rrugore të regjistruara në Shqipëri në 2025, rriten me 91% automjetet elektrike

Ai theksoi se opozita ndodhet në një krizë morale dhe se kjo është arsyeja pse nuk mbështetet nga qytetarët. “Jo se shqiptarët janë të kënaqur me Edi Ramën, por sepse përballë tij oferta tjetër nuk është ajo që i duhet qytetarit,” u shpreh Kadilli.

Në këtë kontekst, ai u ndal edhe te raporti i opozitës me reformën në drejtësi dhe integrimin evropian, duke theksuar se mbi 70 për qind e shqiptarëve mbështesin reformën në drejtësi dhe procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. “Ndërkohë, PD e quan SPAK organizatë kriminale, duke u vënë në kundërshtim me shumicën e shqiptarëve,” tha ai.

Në përfundim, Kadilli deklaroi se Partia Demokratike mbetet forca kryesore e opozitës, por vetëm nëse ndërmerr një proces real reflektimi dhe reformimi të brendshëm. “Nëse do të kishte zgjedhje të vërteta dhe të ndershme brenda PD-së, do të merrja pjesë me kënaqësi, qoftë si kandidat apo vëzhgues,” përfundoi ai.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us