Një anije luftarake amerikane dhe dy anije tregtare u sulmuan në Detin e Kuq të dielën, tha Pentagoni.
Sulmi është parë si një rritje e mundshme e madhe e agresionit në ujërat e Lindjes së Mesme, ku rebelët jemenas të mbështetur nga Irani kanë përshkallëzuar sulmet ndaj anijeve të lidhura me Perëndimin dhe Izraelin.
Pentagoni konfirmoi sulmin të dielën, menjëherë pasi zyrtarët britanikë thanë se morën raporte për sulme me dronë në ngushticën Bab al-Mandab të Detit të Kuq, megjithëse asnjëra nga qeveritë nuk dha detaje, duke përfshirë edhe kush ishte përgjegjës për sulmin.
Një zyrtar anonim amerikan tha për Associated Press se sulmet zgjatën për rreth pesë orë në Sanaa, Jemen.
Një burim i dytë anonim qeveritar tha se luftëanija “USS Carney” rrëzoi të paktën një dron gjatë sulmit.
Sulmet vijnë pasi rebelët Houthi të Jemenit të mbështetur nga Irani kanë shënjestruar Izraelin në mes të luftës së tij me Hamasin.
Grupi tha në një deklaratë të dielën se sulmoi dy anije “izraelite”, e para me një raketë dhe e dyta me një dron, raportoi Times of Israel, megjithëse mbetet e paqartë nëse anija e marinës amerikane ishte në mesin e dy anijeve që Houthi tha se kishte sulmuar.