Një shqiptar është vënë në prangat e policisë në Greqi, pasi akuzohet si i përfshirë në ngjarjen e përgjakshme që ndodhi në Athinë, ku mbetën të plagosur 3 të rinj grekë. Personi i vënë në pranga dyshohet se është bashkëpunëtor i personit që qëlloi me armë.
Mediat greke njoftojnë se në pranga është vënë Elimiliano Jakupi.
Të dy personat janë identifikuar nga policia, dhe tashmë vijon kërkimi për personin kryesor që dyshohet se ka qëlluar me armë. Në të njëjtën kohë, oficerët e Policisë greke kanë në dorë edhe numrin e regjistrimit të makinës Range Rover e cila sipas informacioneve është marrë me qira nga një kompani e madhe.
Mënyra “profesionale” e veprimit të të armatosurit është fiksuar edhe në video-dokument nga momenti i sulmit. Burri trupmadh me gjakftohtësi të plotë dhe pa iu trembur rrezikut, ngre armën dhe hap zjarr ndaj tri të rinjve, duke i goditur shënjestrat e tij në kokë.
Më pas hipën së bashku me bashkëpunëtorin e tij në mjetin luksoz dhe zhduken duke ndjekur një rrugë të njohur prej tyre.