Jetëgjatësia varet më shumë nga sasia e ushqimit sesa nga orari i të ngrënit – ky është mesazhi kryesor i profesor Silvio Garattinit, onkolog dhe farmakolog i njohur italian, themelues i Institutit të Kërkimeve Farmakologjike Mario Negri.
Gjatë një interviste më 12 dhjetor në emisionin “La volta buona” në Rai Uno, Garattini, i cili sapo ka mbushur 97 vjeç, ndau “recetën” e tij për një jetë të gjatë dhe të shëndetshme.
Profesori u shpreh skeptik ndaj agjërimit intermittent, duke theksuar se nuk ka rëndësi sa herë ha gjatë ditës, por sa ushqim konsumon në total. “Mund të hash edhe pesë herë në ditë, nëse sasia është e kufizuar”, tha ai.
Sa i përket aktivitetit fizik, Garattini theksoi se jo çdo shëtitje është aktivitet sportiv. “Duhet të lodhesh. Të ngjitësh shkallët është aktivitet fizik, ndërsa të ecësh duke parë vitrinat jo”, u shpreh ai, duke rekomanduar 150–300 minuta aktivitet në javë.
Ai foli gjithashtu për mungesën e edukimit shëndetësor në shkolla, duke theksuar se parandalimi duhet të mësohet që në moshë të vogël. “Një orë në javë do të mjaftonte për të ndryshuar shumë”, tha Garattini.
Edhe gjatë festave, sipas tij, nuk ka nevojë për ndalesa ekstreme: “Nëse ha një herë panetone, nuk ndodh asgjë. E rëndësishme është mënyra se si jeton çdo ditë”.
Në fund, profesori la një mesazh të qartë: “Unë jap informacionin shkencor. Pastaj secili është i lirë të bëjë zgjedhjet e veta.”
Burimi: Rai Uno – Emisioni “La volta buona” (12 dhjetor 2025)
Corriere della Sera





