Zëvendëskryeministrja, njëkohësisht ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku ka qenë e pranishme në 111-vjetorin e krijimit të Postës Shqiptare. Ajo foli për disa inovacione që do të futen në shërbimet e Postës.
“Për t’ua bërë të gjithëve me dije, Posta Shqiptare ka prej kohësh që ka nisur një projekt të madh inovacioni, duke pasur parasysh, që është institucioni që shkon në çdo cep të vendit tonë. Nuk ka një tjetër institucion shtetëror që shkon nga Vermoshi në Konispol, duke qenë i prekshëm nga të gjithë dhe sidomos nga grupet vurnerabël, siç është rasti i pensionistëve apo familjeve në nevojë apo njerëzve që jetojnë në zona të thella, që bllokohen edhe nga bora, pavarësisht të gjithë punës që ne bëjmë, për të mbajtur tashmë edhe Thethin, edhe Qafë Thoren të hapur. Të gjithë e dimë sa shumë shërbime merren nga zyrat postare. Synojmë që pagesat të kryhen në mënyrë elektronike. Ne synojmë që përmes një karte universale dhe përmes një investimi të rëndësishëm që do të bëhet në pikat e shpërndarjes, ne t’i japim mundësinë çdo pensionisti që të shkojë dhe të tërheqë para, pa pasur nevojë të shkojë në bankë dhe të paguajë komisione”, tha Balluku.
Më tej, Balluku tha se planifikohet që duke nisur nga viti 2024 të zhvillohet një projekt i ri dhe bëhet fjalë për transportin me dron të pakove postare.
“Ajo që është më e rëndësishmja, ne planifikojmë duke nisur nga viti 2024, të kemi një projekt të ri që do të ngjajë pak futurist, ashtu siç u komentuan satelitët dhe bëhet fjalë për transportin me dron, i cili do të marrë nga qendrat e ndryshme postare pakot postare, për t’i transportuar ato në një vend tjetër. E gjitha kjo do të na japë eficencë në kohë, eficencë financiare edhe ulje të emetimeve të karbonit, që është edhe kjo një nga synimet e Shqipërisë”, u shpreh Balluku.
Inovacionet janë prezantuar gjatë ceremonisë së 111-vjetorit të Postës Shqiptare.