Kreu i Partisë ‘Shqipëria Bëhet’ ka vendosur ta zhvendosë protestën e tij disa metra larg Kryeministrisë. Pak para se Sali Berisha të mbledhë ‘Foltoren’ si çdo të hënë, Adriatika Lapaj ka vendosur ti lirojë vendin kreu të PD-së.
Por para kësaj lëvizjeje Adriatik Lapaj dhe mbështetësit e tij u përplasën me Policinë, për shkak të perimetrit të rrethuar, masë e ndërmarrë si pasojë e një tjetër tubimi atë të organizuar nga Partia Demokratike dhe Sali Berisha, në sheshin përpara Kryeministrisë.
Situata u përshkallëzua në momentin kur policia tentoi të largojë protestuesit nga perimetri i sigurisë, duke shkaktuar shtyrje dhe përplasje fizike. Gjatë incidentit, dëgjoheshin thirrje nga turma: “Kujdes nënën e moshuar, mos e prekni!”,duke iu referuar një gruaje të moshuar që ndodhej mes protestuesve. Pamjet tregojnë momente tensioni, ndërsa forcat e rendit përpiqeshin të rivendosnin qetësinë. Sipas policisë, ndërhyrja u bë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, ndërsa protestuesit pretendojnë se u përdor forcë e panevojshme.





