Nga Roma, Venecia, Milano, Torino e deri në Bolonja, lumenjtë dhe ujërat e qyteteve të mëdha italiane janë ngjyrosur me ngjyrë të gjelbër nga ambientalistët. Arsyeja e protestës së bujshme është “denoncimi i një tjetër dështimi politik të Cop28 dhe qeverive në luftën kundër krizës klimatike.”
Në Romë ata hynë në aksion pranë ishullit Tiber dhe ngjyrosën Tiberin. Në Milano të njëjtin fat patën ujërat e Naviglio Grande, ku në urën “Alda Merini” u var shkrimi “Qeveria flet, toka fundoset”.
Matteo Salvini, Ministri i Infrastrukturës, tha:
“Nëse për të “shpëtuar mjedisin” këta budallenj arrijnë të dëmtojnë monumentet, veprat e artit, kishat dhe madje edhe lumenjtë ata nuk po tregojnë gjë tjetër veçse çmenduri. Gjobë dhe burg për këta vandalë.”
“Ujërat do të kthehen si më parë pas disa orësh. Ndërkohë që qeveritë po flasin, po numërojmë dëmet dhe viktimat e përmbytjeve dhe zjarreve të vazhdueshme”.- u përgjigjën ambientalistët për Corriere Della Sera.
Një fletëpalosje u shpërnda në Bari për të rritur ndërgjegjësimin për emergjencën klimatike.
Tre ditë më parë, ishin ata të “Gjeneratës së Fundit” që protestuan duke hedhur baltë të lëngshme dhe çokollatë pluhur në Bazilikën e San Markos.
“Eko-vandalët përsëri! Na u desh të ndërprisnim shërbimin publik si masë paraprake duke pasur parasysh akrobacitë e tyre dhe baticat e tyre.” -tha kryebashkiaku Luigi Brugnaro tani po i raportojmë edhe për “ndërprerje të shërbimit publik” dhe shpresojmë që të përfundojnë në burg.
Në Torino, aktivistët arritën në brigjet e Po-së përgjatë Murazzi-t dhe hodhën bojë ndërsa në Bolonjë kaluan kanalin e Reno-s dhe ankoruan gomone në brigje. Tashmë në qytet po zhvillohet një proces gjyqësor ndaj tre ambientalistëve, të arrestuar më 2 nëntor për bllokimin e unazës për një orë.