Kryeministri Edi Rama ka përgëzuar ditën e sotme ekipin e negociatorëve që kanë punuar për procesin “screening”, në kuadër të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ndër të tjera, Rama theksoi se puna e bërë nga skuadra kombëtare e negociatave është aq e madhe dhe e suksesshme, sa imazhi i Shqipërisë ka ndryshuar tashmë në sytë e ndërkombëtarëve.
Po ashtu, kryeministri i dha një mesazh kryeministrit grek, i cili ka kërcënuar se do të pengojë negociatat për shkak të çështjes Beleri.
“Ju e dini që nuk janë vetëm këto arsyet e mosanëtarësimit, por që cilado qoftë arsyeja duhet të dini se ne nuk bëjmë asnjë negociatë për çështjet që kanë të bëjnë me drejtësinë. Unë jam i bindur se ne me fqinjët tanë do të vendosim një arsye madhore mbi këtë cështje, por që ne nuk ia heqim rëndësinë për ta. Ne jemi disponibël për cdo gjë që nuk prek konsolidimin e sistemin e drejtësisë. Jo se ne nuk duam, por se drejtësia jonë është më kokëfortë se ne për të qenë e konsoliduar”, tha Rama.