Autoriteti Rrugor Shqiptar i bën apel drejtuesve të automjeteve që të tregohen të kujdesshëm në timon, për shkak të reshjeve të shiut që kanë përfshirë vendin. Sipas ARRSH-së, bora ka zbardhur disa zona të vendit, përfshirë Korçë-Dardhë, Tamarë-Vermosh, Qafë Thore-Bogë; megjithatë nuk kanë shkaktuar probleme në akset nacionale.
NJOFTIMI I PLOTË:
Reshje shiu me intensitet të ulët kanë përshkuar vendin pa sjellë probleme në akset nacionale. Në Korçë-Dardhë, në Tamarë-Vermosh, në Qafë Thore-Bogëkanë filluar reshjet e dëborës me intensitet mesatar. Mjetet borëpastruese dhe punëtorët e mirëmbajtjes janë në terren dhe kanë vijuar punën pa ndërprerje. Rrugët janë të pastruara nga dëbora dhe qarkullimi vijon pa probleme. Drejtuesit e mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.