Rikthehen protestat pro palestineze në Londër. Këtë të shtunë, protestuesit bënë thirrje që që të bojkotohen blerjet në prag të festave, ndërsa u ndalën pranë dyqaneve të Zarës dhe Pumës, pasi janë marka të lidhura me Izraelin. Qindra njerëz marshuan në Oxford Street, Regent Street, Carnaby Street dhe në zonat e ngarkuara tregtare në Ëest End të kryeqytetit. Disa brohoritën: “Ndërsa ju jeni duke bërë pazar, bombat po bien”, duke iu referuar përgjigjes së Izraelit ndaj sulmeve të 7 tetorit nga grupi militant palestinez Hamas.
Ata u ndalën jashtë dy dyqaneve Zara të cilët ishin të mbyllura dhe ruheshin nga siguria. Disa brohorisnin: “Zara, Zara, nuk mund të fshihesh, ndalo së mbështeturi gjenocidin”. Në fillim të këtij muaji, Zara nxori një reklamë pas ankesave se përmbante fotografi që ngjasonin me imazhe nga lufta Izrael-Hamas. Kompania tha se i vinte keq për një keqkuptim në lidhje me imazhet pasi disa klientë panë në to diçka larg asaj që synohej kur u krijuan.
Protestuesit brohoritën gjithashtu: “mbylle” jashtë një dyqani Puma në Carnaby Street. Kompania sportive u përfshi në listën e markave për bojkot, e cila ishte e shkruar në fletëpalosjet e shpërndara. Thirrjet për bojkotimin e Puma-s burojnë nga sponsorizimi i firmës ndaj ekipit kombëtar të futbollit të Izraelit. Demonstrata e së shtunës, e organizuar nga grupi i veprimit të drejtpërdrejtë Sisters Uncut, filloi në sheshin Soho, ku protestuesit brohorisnin “Palestinë e lirë”.