Televizioni më i madh në vend përforcon departamentin e informacionit me Robert Rakipllarin. Gazetari me përvojë mbi 25 vjeçare në median e shkruar dhe atë vizive i bashkohet Top Channel.
Rakipllari do të mbajë postin e kryeredaktorit të lajmeve në Top Channel, si një garanci dhe energji shtesë për të vijuar misionin e medias më të madhe në vend për të vazhduar misionin e vet në mbrojtje të interesave të shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Greqi dhe kudo që ndodhen.
Robert Rakipllari mbërrin në Top Channel pas një përvoje të gjatë në median e shkruar dhe atë vizive. Ai ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës, ndërsa pjesë e medias është bërë që në vitin 1996.
Në vitin 2001 u bë gazetari më i ri shqiptar që merr postin e kryeredaktorit në gazetën Shekulli. Gjatë qëndrimit prej pesë vitesh në këtë gazetë, e shndërroi në gazetën më të madhe në vend. Më pas kaloi te Gazeta Panorama po si kryeredaktor.
Përveç profesionit të gazetarit, Rakipllari ka dhënë leksione në Universitetin e Tiranës për gazetarinë investigative dhe teknikat e sigurimit, shkrimit dhe raportimit të lajmit.