Cristiano Ronaldo regjistroi ndeshjen e 1200 profesionale të karrierës së tij, duke shënuar një gol dhe duke asistuar një tjetër për klubin e Arabisë Saudite, Al-Nassr. 38-vjeçari ishte protagonist në fitoren e skuadrës së tij 4-1 ndaj Al-Riyadh.
Ronaldo falënderoi të gjithë ata që e ndihmuan të bënte histori në futboll, duke shtuar se ende asgjë nuk ka mbaruar. Sulmuesi portugez është golashënuesi më i mirë i Ligës Saudite me 16 gola në 15 ndeshje këtë sezon. Ish-portieri i Anglisë, Peter Shilton, është futbollisti që ka luajtur më tepër ndeshje në karrieën e tij, 1387.
Liga Saudite konfirmoi në rrjetet sociale se Ronaldo kishte arritur të luajë në 1200 ndeshje, një shifër “e çmendur”. “Tre pikë të tjera! Faleminderit të gjithë bashkëlojtarëve të mi që më ndihmuan të arrij të luaj ndeshjen time të 1200-të”, tha Ronaldo. Sulmuesi gjithashtu kishte regjistruar paraqitjen e tij të 1000-të me një gol në shkurt 2020, duke shënuar për Juventusin në Serie A.
Në qershor, ai u bë lojtari i parë për meshkuj që bëri 200 paraqitje ndërkombëtare, kur Portugalia luajti përballë Islandës dhe ai është gjithashtu golashënuesi më i mirë në sfida ndërkombëtare me 128 gola.
Ndër rekordet e karrierës së tij, Ronaldo kryeson listën për ndeshjet e luajtura në Ligën e Kampionëve (183), ku ai përfaqësoi Manchester United, Real Madrid dhe Juventus. Ai gjithashtu u bë lojtari i parë në histori që shënoi 800 gola të nivelit të lartë në karrierë. Që atëherë, ai tashmë ka realizuar 850 gola. Al-Nassr mbetet i dyti në tabelë në kampionat, shtatë pikë prapa liderit Al-Hilal.
1200 ndeshjet e Ronaldos
Sporting – 31 ndeshje
Manchester United – 346 ndeshje
Real Madrid – 438 ndeshje
Juventus – 134 ndeshje
Al Nassr – 46 ndeshje
Portugalia – 205 ndeshje.