Rusia nuk i ndal sulmet, Ukraina lëshon sirenat e alarmit në të gjithë vendin

Ukraina lëshoi sirenat e alarmit për sulme ajrore në të gjithë vendin më 27 nëntor, pasi Rusia i vazhdoi sulmet edhe gjatë natës.

Alarmi u lëshua pasditen e së hënës, pasi Forca Ajrore e Ukrainës raportoi për një kërcënim raketor, për shkak të ngritjes së avionëve luftarakë rusë, Mig-31, nga fusha ajrore në Mozdok, në jug të Kurskut, rreth 55 kilometra larg kufirit me Ukrainën.

Civilëve iu kërkua të qëndronin brenda dhe të strehoheshin gjatë alarmit, i cili ra pasi Rusia e bombardoi gjatë natës infrastrukturën civile dhe vendbanimet në rajonet jugore të Ukrainës, Herson dhe Dnipropetrovsk.

Forcat ruse e goditën qytetin Herson plot 56 herë gjatë 24 orëve të fundit, duke e lënduar një civil, tha guvernatori rajonal Oleksandr Prokudin, në Telegram.

Lajme të tjera |  Zelensky: Jam gati të shkëmbejë territoret me Rusinë

Në Dnipropetrovsk, Rusia e sulmoi Nikopolin dhe rrethinat e tij, tha guvernatori rajonal Serhiy Lysak.

“Qyteti Marhanets u sulmua me artileri të rëndë”, tha Lysak, duke shtuar se nuk raportohet për viktima apo dëme.

Sulmet më të fundit vijnë në një kohë kur Ukraina është goditur edhe nga një stuhi e madhe e borës, e cila ka shkaktuar ndërprerje të rrymës dhe mbyllje të rrugëve në shumicën e territorit të vendit.

Në Kiev, kryetari Vitali Klitschko, njoftoi se, me gjithë kërcënimet nga sulmet ruse, pema e Krishtlindjes do të vendoset në sheshin kryesor të kryeqytetit ukrainas. Megjithatë, nuk do të ketë festë e as panaire të Krishtlindjes në kryeqytet, për arsyeje sigurie, shtoi ai.

Lajme të tjera |  Trump zbardh bisedën me Putin: Do përfitojmë shumë nëse punojmë së bashku! Të nisin menjëherë negociatat për paqe në Ukrainë

Në fushëbetejë, forcat ukrainase i luftuan 63 beteja përgjatë vijës së frontit në 24 orët e fundit, tha Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës më 27 nëntor. Luftimet më të ashpra ndodhën në rajonet lindore të vendit, Harkiv dhe Donjeck, tha ushtria.

Qyteti industrial Avdivka, në Donjeck, mbetet pika kyçe e ofensivës së Moskës në lindje të Ukrainës, ku forcat ruse janë duke u përpjekur pa sukses t’i rrethojnë trupat ukrainase tash e disa muaj dhe kanë pësuar humbje materiale dhe në njerëz si pasojë./REL

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us