Të gjithë tifozët shqiptarë që janë interesuar për t’u pajisur me bileta për ndeshjet e vitit të ardhshëm të kombëtares në Gjermani, mund të hyjnë në faqen zyrtare të UEFA.com, duke përdorur linkun përkatës (https://www.uefa.com/euro2024/ticketing/).
Kuqezinjtë do ta nisin ndaj Italisë, e cila është edhe fituesja në fuqi e kompeticionit.
Një kundërshtarë ndaj të cilit, kuqezinjtë nuk kanë fituar asnjëherë, pasi katër përballjet e mëparshme janë mbyllur me humbje. Italianët kanë fituar të katër duelet, me bilancin total, 1 gol të shënuar dhe 7 të pësuar.
Një rival ndaj të cilëve, kemi luajtur dy miqësore dhe dy sfidat e tjera ishin në kuadër të eliminatoreve të kampionatit botëror të zhvilluar në Rusi.
Miqësorja e parë daton më 18 Nëntor të vitit 2014, kur në pankinë drejtonte, Xhani de Biasi. Asokohe, në krahun tjetër ishte teknik, Antonio Conte. Italia triumfonte me shifrat 1-0 pas golit të Okaka.
Në kualifikueset e Botërorit, Shqipëria humbi 2-0 në Itali dhe në vendin tonë u mposht minimalisht 1-0, kur në pankinë drejtonte Christian Panucci.
Përballja e fundit mes dy kombëtareve është ajo e vitit të shkuar, rreth 1 vit më parë, kur u mposhtën në miqësoren e zhvilluar në ‘Air Albania’ me shifrat 3-1.