Është zbuluar një raporti i datës 30 Nëntor, ku drejtori i komanduar Kamber Hoxha, ka denoncuar një sërë parregullsish në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, ku ndodhi edhe vrasja e Arben Lleshit.
Kamber Hoxha, i cili tashmë është i arrestuar për vrasjen brenda burgut të Peqinit më 15 Dhjetor 2023, evidentonte faktin që skaneri në këtë burg të sigurisë së lartë nuk funksiononte që prej 21 Tetorit.
Ndërkohë që drejtori ankohej për mungesën e stafit të mjaftueshëm për kontrollin e të burgosurve, kryesisht me dënime të përjetshme.
“Skaneri për kontrollin e bagazheve nuk funksionon që nga data 21 Tetor 2023. Që nga Tetori, ti thua si ka hyrë arma, s’ka pra skaner aty. Kjo është në raport. Nga data 21 Tetor nuk punon skaneri. Aty në momentin që nuk punon skaneri, duhet në mënyrë urgjente të rikthehet skaneri se bëhet hataja, është burg i sigurisë së lartë”, lexoi raportin Artan Hoxha.
Po kështu, edhe me kamerat e sigurisë kishte probleme dhe nuk mbulohej e gjithë hapësira e brendshme e burgut. Sipas raportit të hartuar, thuhej se dhjetëra ambiente në regjimin e brendshëm të burgut kanë qenë të pamonitoruara nga kamerat e sigurisë.
“Sistemi i monitorimit të kamerave të sigurisë ka probleme me teknologjinë. Në regjim të brendshëm ka ambiente të përbashkëta që përdoren për aktivitete të ndryshme me të burgosurit si klasa, palestra, dhoma takimesh me familjarë, virtuale online, takime me avokatët, rrugëdaljet për në ajrosje që janë të pamonitoruara nga kamerat e sigurisë në të dyja godinat. Këto korridoret mbulohen vetëm me një kamera, por duke patur parasysh faktin se sektorët kanë një gjatësi të konsiderueshme, e bën të pamundur mbulimin me 1 kamera”.
Një tjetër problematikë e evidentuar në raportin e drejtorit të komanduar, është fakti që dyert e qelive hapen me një çelës të vetëm, ndërsa shulat janë të cilësisë së dobët.
“Të gjitha dyert e banimit të burgosurve në sektor hapen me një çelës të vetëm, ndërsa drynat e shuleve të cilët mbyllen në turnin e tretë janë cilësi shumë e dobët, gjë e cila cënon rëndë sigurinë e institucionit dhe vetë të burgosurve”.
Por pavarësisht të gjitha këtyre shqetësimeve të ngritura nga ana e drejtorit të komanduar të burgut, dy javë para vrasjes, nga drejtoria e përgjithshme e burgjeve, por edhe nga Ministria e Drejtësisë nuk është marrë asnjë masë.
Sipas nëndrejtorit të përgjithshëm të burgjeve, Femi Sufaj, përveç personave të vënë në pranga në burgun e Peqinit, kanë nisur dhe hetime për persona të tjerë, që nuk mund të kenë kryer si duhet detyrën dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.
Sufaj tha se një pjesë e mirë e ‘shkeljeve’ që raportoheshin nga Kamber Hoxha, në fakt kanë qenë rekomandime të organizatave ndërkombëtare, siç është rasti i hapjes të të gjitha dyerve me një çelës. Sipas tij kjo bëhet për të pasur më të lehtë nxjerrjen e të burgosurve nga qelitë në rast zgjarresh.