Drejtori i Përgjithshëm i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, Taulant Tusha është arrestuar një ditë pasi Prokuroria e Posaçme ka lëshuar 15 urdhërarreste për inceneratorin e Tiranës.
Në pranga ranë edhe Namik Simixhiu, Bledar Karoli dhe Jetmir Llapaj, raporton gazetarja Klodiana Lala.
Ndërsa është shpallur në kërkim shtetasi Erjon Murataj, i cili mësohet se ndodhet jashtë vendit.
Nga 15 urdhërarreste janë ekzekutuar vetëm 4 prej tyre, ndërkohë që operacioni vazhdon.
Arrest në burg është kërkuar për Lefter Kokën, Alqi Bllakon, Mirel Mërtirin, Klodian Zoton, Erjon Muratajn, Bledar Karoli, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Jetmir Llapaj.
Ndërsa është kërkuar arrest shtëpie për Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Pëllumb Abeshi, Etleva Kondi, Sidita Tola.
Më herët SPAK ka vendosur sekuestro ndaj inceneratorit të Tiranës, pasi nga hetimi paraprak zbuloi se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët e vërtetë të projektit dhe se kompania ka lëshuar miliona euro fatura të falsifikuara, të paguara nga taksapaguesit e Tiranës, Durrësit e bashkive fqinje me të.
Kujtojmë që në 1 gusht të këtij viti, Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit urdhëroi sekuestrimin e kompanisë që operon kontratën kontroverse të incineratorit të Tiranës, pasi njoftoi se hetimi paraprak ka zbuluar se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët e vërtetë të projektit dhe se kompania ka lëshuar miliona euro fatura të falsifikuara, të paguara nga taksapaguesit e Tiranës, Durrësit e bashkive fqinje me të.
Sipas prokurorisë, nga hetimi “ka rezultuar se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, e cila ka fituar kontratën koncesionare “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vendepozitimeve ekzistuese, Tiranë”, si dhe janë pronarët “de facto” të shoqërisë mëmë të saj, të themeluar në Hollandë, “Integrated Energy B.V”, ndryshuar më pas me emrin “Geogenix B.V”.”