E shtuna e 11 nëntorit 2023 do të mbetet e trishtë për tërë historinë e futbollit shqiptar. Arresti kardiak në fushën e blertë, që i mori jetën më pas Raphael Dëamena rrugës për në spital, tronditi mbarë opinionin tonë futbolldashës.
Madje, kjo vdekje tragjike e sulmuesit 28-vjeçar ganez bëri jehonë në tërë mediat botërore. Një moment shumë i vështirë, sikurse është humbja e jetës së një futbollisti mjaft të talentuar, por edhe rast për ndërgjegjësim, për kontrolle mjekësore shumë të rrepta në sportin dhe futbollin tonë.
Sidoqoftë, po dje, një tjetër ngjarje është regjistruar në futbollin tonë, por që kaloi disi në heshtje për shkak të tragjedisë në stadiumin e Rrogozhinës. Një arbitër futbolli ka rrezikuar seriozisht jetën në stadiumin e Fierit, ku është goditur në kokë me sende të forta.
Vetëm Zoti e ka shpëtuar gjyqtarin fushë-krujas Blerim Ziri, i cili ka rënë pa ndjenja në tokë, pasi stoli plastik i stadiumit, i hedhur nga një tifoz aty pranë, e ka goditur pas kokës. Ky incident i rëndë, sikurse thamë më lart, ndodhi në Stadiumin “Loni Papuçiu”, ku po zhvillohej ndeshja e Kategorisë së Parë, Apolonia-Vora 2-1.