SPAK ka mbyllur hetimet për Klodian Kapidanin, i cili akuzohet se ka blerë vota për kryebashkiakun e Kavajës, Fisnik Qosja në zgjedhjet vendore të 14 majit.
Nën akuzën për ‘korrupsion aktiv në zgjedhje’ SPAK ka dërguar për gjykim Kapidanin, ndërsa në bazë të hetimeve thotë se ditën e zgjedhjeve, ai ka premtuar dhe ofruar disa personave para me qëllim që të marrin pjesë në votime dhe të zgjedhin Fisnik Qosjen në Bashkinë e Kavajës.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për proçedimin penal nr.88 viti 2023 që bën fjalë për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.
Nga veprimet hetimore të kryera lidhur me këtë procedim penal është provuar fakti se i pandehuri Klodian Kapidani, me banim në Kavajë, në datën 14.05.2023, datë në të cilën janë zhvilluar zgjedhjet e përgjithshme vendore për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, iu ka premtuar dhe iu ka ofruar personave të tjerë shuma monetare me qëllim për të marrë pjesë në votime, për të siguruar pjesëmarrjen edhe të personave të tjerë në votime, si dhe për të përcaktuar mënyrën e votimit.
Në përfundim të hetimeve paraprake, Prokuroria e Posaçme ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për dërgimin në gjyq të procedimit penal nr.88 viti 2023 në ngarkim të të pandehurit Klodian Kapidani, i akuzuar se ka kryer veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.