GREQI– Dy adoleshentet që prostituoheshin nga një grup, përfshirë dhe një 31-vjeçare shqiptare të identifikuar si Lorela, kanë treguar se si janë njohur me tutoret e tyre. Mediat greke shkruajnë se shqiptarja Lorela Kapaj, që në fillim të vitit 2022, kishte krijuar një marrëdhënie miqësore me një 15-vjeçare dhe e ndihmonte të gjente “klientë” dhe merrte një përqindje të pagesave. Por, 18-vjeçarja në një prononcim për MEGA, ka fajësuar një tjetër person, me emrin Elena, 25 vjeçe.
“Elenën e takova kur isha 15 vjeç, u shoqëruam, u morëm vesh. Ajo ishte si motra ime. Unë e kam bërë me dëshirë këtë gjë, por vajza nuk është e përfshirë askund. Më tha “eja të punosh në klub me mua, mos e bëj këtë”. Fajin e ka një vajzë tjetër, Elena që është 25 vjeçe dhe shfrytëzon shumë vajza. Ajo gjithmonë më merrte kudo me vete në takime,”- ka rrëfyer adoleshentja.
31-vjeçarja Lorela Kapaj, nënë e një fëmije të mitur, është arrestuar në shtëpinë e saj në Colonos pasi disa nga fqinjët e saj kishin vënë re kontaktet e “çuditshme” që ajo kishte me nxënëset e zonës. Nga hetimet ka rezultuar se Lorela K. e ka shtyrë të miturën për të kryer prostitucion si dhe i kishte marrë një pjesë të parave që kishte përfituar nga aktiviteti. Tutori i dytë është një 34-vjeçar, shok i shqiptares Lorela K., i cili kishte rënë në kontakt gjithashtu me të miturën 15-vjeçare dhe shoqen e saj në prill të vitit 2023. 34-vjeçari kujdesej që të gjente klientë të pasur për vajzat që prostituoheshin Përveç kësaj, ai i fotografonte me të brendshme dhe fotot i postonte në një faqe interneti përmes së cilës u zhvilluan të paktën 10 takime romantike në hotele të ndryshme në qendër të Athinës.