Ukraina dhe Rusia kanë shkëmbyer qindra robër lufte, në atë që është përshkruar nga zyrtarët në Kiev si shkëmbimi më i madh i luftës. Ukraina tha se 230 të burgosur, duke përfshirë pjesëtarët në shërbim të forcave të armatosura dhe rojet kufitare, ishin liruar nga robëria ruse.
Në këmbim, 248 rusë u liruan nga Ukraina në kuadër të marrëveshjes, të ndërmjetësuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Ky është shkëmbimi i parë i madh i të burgosurve që nga gushti i kaluar. “Njerëzit tanë janë në shtëpi”, shkroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në rrjetet sociale. “Sot, ne sollëm mbi 200 luftëtarë dhe civilë nga robëria ruse”, shtoi ai.
Në një deklaratë, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se negociatat kanë qenë të vështira. Të dy vendet kanë shkëmbyer të burgosur në disa raste që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë të Rusisë në shkurt 2022, por udhëheqësi ukrainas tha muajin e kaluar se procesi ishte ngadalësuar, për arsye shumë specifike të Rusisë.
Imazhet që tregojnë lirimin e të burgosurve u postuan veçmas nga zyrtarët rusë dhe ukrainas. Një video e publikuar nga Moska tregonte disa nga rusët e liruar, duke buzëqeshur në një autobus. Ukraina tha se ushtarët e tyre të liruar përfshinin shtatë mbrojtës të ishullit të gjarpërinjve, një dalje shkëmbore në Detin e Zi. Ishulli i gjarpërinjve u bë një simbol i rezistencës ukrainase disa orë pas pushtimit të plotë të Rusisë, kur një roje kufitare e vendosur atje refuzoi t’i dorëzohej anijes luftarake ruse ‘Mosvka’.
Të tjerët e liruar përfshinin Gardistët Kombëtarë të kapur në zonën e Çernobilit dhe ushtarët e arrestuar gjatë betejës për fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol. Gjashtë nga të liruarit ishin civilë, sipas Kievit. Të dyja palët falënderuan Emiratet e Bashkuara Arabe për ndërmjetësimin e marrëveshjes. Muajin e kaluar, Ukraina tha se kishte liruar rreth 2,598 njerëz nga robëria ruse gjatë një procesi prej 48 shkëmbimesh. Disa të burgosur lufte ukrainas të liruar më parë nga robëria ruse kanë thënë se i janë nënshtruar torturave, duke përfshirë rrahjen dhe goditjet elektrike.