Rastet e infektimeve me koronavirus janë të pakta në popullatë. Epidemiologu Ilir Alimehemti, në një intervistë për Euronews, pohon se nuk përjashtohet mundësia që nënvarianti i ri JN1 të jetë i pranishëm, por kjo nuk duhet të na frikësojë.
“Nënvarianti më i fundit JN1 është po nënvariant omicron, ky omicron e ka zënë skenën prej 2 vjet e sa, prej nëntor i 2021, e këtej ky variant zuri vendin dhe është shumë vështirë të vijë një tjetër, sepse ky duket shumë i përshtatur me njeriun. Fatmirësisht për ne këtij i mungon një rrugë virologjike, që do të thotë i godet më pak mushkëritë sesa variantet e mëparshme. Ka raste që komplikohen, po mundësia është më e vogël, pra 80% më pak i rrezikshëm se Delta është Omicron dhe ne e kemi kaluar COVID thuaje të gjithë. Ai imunitet është vendosur dhe kjo është arsyeja pse nuk kemi problematika spitalore”, thotë epidemiologu.
E kur bëhet fjalë për injektimin e vaksinës anti-COVID, epidemiologu thonë se duhet të jenë mjekët e familjes ata që vendosin nëse duhet aplikuar. “Për mosha të vjetra shumë të sëmurë, patjetër mjeku mund ta këshillojë, se duan ta mbrojnë nga gjithçka, por për njerëzit e shëndetshëm s’ka arsye”, shprehet ai.
Pavarësisht shifrave në rritje të personave të prekur nga gripi, Alimehmeti thotë se nuk ka vend për panik. “Është thjesht dimër dhe është një situatë jo alarmante, sepse po të kishte qenë alarmante do ta vinim re që në gusht, duke studiuar Australinë, që është hemisferë jugore që do të thotë se atje është dimër kur këtu është verë, p.sh n.q.s ne vjet në ‘22, kishim një alarm nga Australia dhe erdhi sivjet, kjo s’ka ndodhur, pra jemi në një situatë në mesataren”, thekson mjeku.
Një tjetër faktor që sipas ekspertëve tregon se situata është e qetë, janë shtrimet tejet të pakta në spital. Aktualisht në spitalin infektiv po trajtohen vetëm 10 pacientë si pasojë e komplikacioneve nga gripi dhe COVID.