Është gjetur dhe sekuestruar sot automjeti i përdorur nga 2 vëllezërit Agrim dhe Kreshnik Gashi për vrasjen e 41 vjeçarit Elton Javori në 7 dhjetor në lagjen “16 prilli”.
Policia ka nisur hetimet për 70 vjeçarin Rexhep Puka, burrin e tezes së dy vëllezërve të arratisur. Mësohet se i moshuari e kishte fshehur automjetin në garazhin e banesës së tij.
Njoftimi i policisë
Në vijim të veprimeve hetimore dhe punës së pandërprerë për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur në datë 7 Dhjetor në Fier, ku mbeti i vrarë me armë zjarri Elton Javori 41 vjeç, shërbimet e Policisë, me mbështetje të inteligjencës policore, bënë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e automjetit të përdorur nga autorët gjatë ngjarjes.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin R. P., 70 vjeç, banues në Dërmënas, Fier, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij, në garazhin e mbyllur, u gjet dhe u sekuestrua automjeti tip “Benz”, i përdorur nga Agim Gashi dhe K. Gashi., gjatë vrasjes së shtetasit Elton Javori.
Nga këqyrja e këtij automjeti u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një gezhojë arme zjarri, ndërsa në banesë u gjend një fishek arme zjarri.
Gjithashtu, po në këtë garazh u gjet dhe u sekuestrua edhe një automjet tjetër tip “Benz”, i blinduar, në bagazhin e të cilit u gjet edhe një targë automjeti tjetër.
Po gjatë kontrolleve të imtësishme në zonë, në një banesë, të cilin e kishte në ruajtje shtetasi R. P., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 3 celularë të fikur, 4 jelekë antiplumb si të Policisë, 1 armë gjahu teke, 1 armë shotgan, 2 krehra pistolete bosh dhe 1 sëpatë me bisht druri, të dyshuara se mund të jenë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.
Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensivisht për kapjen e autorëve, Agim Gashi dhe K. Gashi, dhe dokumentim e plotë të rrethanave ngjarjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në ngarkim të shtetasit R. P., për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.