Familja e Lulzim Fejzullahu, 18-vjeçarit që u dhunua për vdekje në Podujevë të Kosovës, ka vendosur të ndjekë “Kanunin”. Imami nga Podujeva, Bekim Jashari, ka njoftuar se xhaxhai i 18-vjeçarit i ka dhënë 1 muaj besë familjes së dhunuesit.
“Rrahim Fejzullahu, mixha i të ndjerit Lulzim Fejzullahu, e nderoj Zotin e Kombin tonë me dhënie të besës ( Një muaj nga sot ) për familjen e dorasit. Zoti e mëshiroftë Lulin, e bekoftë familjen e madhe të Rrahimit”, ka shkruar Jashari.
Dhënia e besës në Kanun do të thotë se familjet e autorëve do të jenë të sigurta për 1 muaj nga gjakmarrja dhe kanë mundësinë të largohen, por pasi ky afat të kalojë familja e viktimës do të hakmerret për jetën e humbur të Lulzim Fejzullahu.
Lulzim Fejzullahu, 18-vjeç humbi jetën pasi u përplas me makinë, dhe u godit me mjete të forta nga dy të mitur, Artiol Abdullahu dhe Elton Kadriu. Sherri nisi për vendin në berberhane. Të dy autorët janë arrestuar.