Detaje të reja tronditëse janë zbuluar nga vrasja makabër në Itali, ku Vanessa Ballan u qëllua shtatë herë me thikë nga shqiptari Bujar Fandaj. Viktima dyshohet të ketë pasur një lidhje në të kaluarën me 41-vjeçarin.
Një histori tashmë e përfunduar, duke pasur parasysh se Vanessa ishte martuar e tani ishte në pritje të fëmijës së dytë. Por si duket Fandaj nuk e kishte pranuar kurrë ndarjen dhe mësohet se 41-vjeçari e ka përndjekur Vanessan për disa kohë. Që kur ajo e la atë, në vitin 2022, jeta e saj ishte kthyer në një makth.
Fandja dyshohet se filloi ta kërcënonte atë, madje edhe me vdekje, duke u paraqitur në supermarketin ku viktima punonte si arkëtare. Derisa në muajin tetor Bujari u denoncua nga Vanessa dhe për këtë arsye ai ishte nën këqyrjen e policisë. Denoncimi erdhi pasi shqiptari e kishte kërcënuar me publikimin e disa video në internet ku të dy ishin në momente intime.
Pak ditë më vonë karabinierët kryen një kontroll në shtëpinë e 40-vjeçarit, i cili me sa duket nuk kishte precedentë penalë dhe i sekuestruan kompjuterin dhe celularin.
Vrasja ndodhi në via Fornasette, në Spineda, një fshat i Riese Pio X. E reja u godit me thikë shtatë herë në hyrje të banesës së saj. Alarmi u ngrit nga një fqinj, i cili njoftoi menjëherë policinë. Partneri i 27-vjeçares nuk ndodhej në shtëpi në momentin e krimit. Çifti ishin bashkë prej 11 vitesh dhe kishin një fëmijë. Gruaja ishte në pritje të fëmijës së saj të dytë