Ish-deputeti Spartak Braho deklaroi të mërkurën se çështja e 21 Janarit është drejt mbylljes dhe se ish-kryeministri Sali Berisha do të përfundojë në burg shumë shpejt. Deklaratat Braho i bëri në emisionin Frontline Interview, ku u diskutua për drejtësinë dhe zhvillimet politike të pritshme të 2026ës.
“Berisha është i ngarkuar. Shpresoj që brenda tremujorit të parë të 2026, çështja e Berishës të zgjidhet dhe parashikoj që Berisha do të shkojë në burg për 21 Janarin. Kjo çështje përthith çdo çështje tjetër. I del dhe i tepron 21 Janarin Berishës”, u shpreh Braho.
Duke komentuar dëshmitë që ka mbledhur SPAK në hetimin për 21 janarin, Braho veçoi dëshminë e ish-presidentit Bamir Topi, duke e cilësuar atë si thelbësore për hetimin.
“Dëshmia e Topit është konkrete dhe plotëson të gjithë kuadrin e çështjes. Duke qenë president, ai është në dijeni të shumë gjërave. Natyrisht pati edhe përplasje me Berishën, i cili e quajti ‘puçist’”, tha ai.
Ndërsa për dëshminë e Ilir Metës, Braho u shpreh skeptik:
“Nuk e di për çfarë ka folur Meta, por nuk besoj se ai mund të dijë diçka pikante që t’i shtohet hetimit. Meta nuk është në pozicionin që ta rëndojë Berishën”, deklaroi Braho.





