Kryeministri Edi Rama ka deklaruar këtë të hënë se drejtësia për 21 janarin do të vonojë, por do të vijë. Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Zgjeruar të PS-së në Vlorë, kreu i Qeverisë u shpreh se ishte barrë e PS për të sjellë një drejtësi të re, e cila u realizua falë Reformës në Drejtësi.
Sipas Ramës, as amerikanët dhe as europianët nuk do të mund ta bënin reformën nëse nuk do të ishte vullneti i shumicës parlamentare, e drejtuar prej tij. Para drejtësisë, tha Rama ndër të tjera duhet të dalin dhe ata që dhanë urdhër për sulm dhe jo vetëm ata që tërhoqën këmbëzën e armës duke lënë katër viktima në Bulevarin “Dëshmorët e Kombit”.
Edi Rama: 21 janari nuk ka ndodhur dje. Ka ndodhur përpara, tanimë shumëvitesh dhe të gjithë e dimë se sa e rëndë është që të vijë 21 janari tjetër, dhe tjetri, dhe tjetri, dhe ata të cilët duhet të përgjigjen për atë krim të vazhdojnë të përqeshin, e të përqeshin e përqeshin viktimat e 21 janarit. Nga ana tjetër akskush nuk duhet ta harrojë, që në këtë sistem që keni zgjedhur drejtësinë nuk e bën as partia, as Qeveria, as Kryeministria por vetëm drejtësia. Nëse sot ka një arsye për tu ndier disi të lehtësuar në raport me 21 janari për të cilin ne kemi pasur qysh në krye të herës barrën që ti hapim rrugë drejtësisë është se sot, pavarësisht se do të kërkojë ende kohë ta shohim drejtësinë të bërë për 21 janarin, shohim që rruga për drejtësinë është hapur. Ajo që ndodhi në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut është historike. Kush e ka lexuar, ka parë që Gjykata e të Drejtave të Njeriut ka formuluar ekzastësisht atë që unë dhe të tjerë kemi thënë që në krye të herës, 21 janari është një krim shtetëror dhe për krimin shtetëror duhet të përgjigjen jo vetëm ata që tërhoqën këmbëzën e pushkës por në radhë të parë ata që urdhëruan hapjen e zjarrit me plumba të vërtetë. Si e hapën ne rrugën e drejtësisë? Duke bërë Reformën në Drejtësi. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Ne skemi kapur asgjë, ne qëndrojmë në anën parimore të kësaj historie dhe i rrimë drejt atyre që kemi marrë përsipër. Kemi marrë përsipër të bëjmë një drejtësi që nuk sheh majtas djathtas dhe nuk sheh se sa i lidhur je me një pushtet a një tjetër. Është kjo që po ndodh. Më vjen për të qeshur kur thonë shyqyr se erdhi SPAK, se këta janë të gjithë njësoj, po të ishim të gjithë njësoj nuk do vinte SPAK, këtë e ka bërë të mundur vizioni i Partisë Socialiste. E sollën amerikanët? Si e sollën? Me avion? Apo anije? Amerikanët dhe europianët ka qenë këtu që në 91-shin, nuk ka europian dhe amerikan që sjell një Reformë në Drejtësi në një vend që nuk ka një forcë që ka vullnet për ta bërë këtë.
Çfarë ndodhi më 21 janar?
Më 21 janar 2011, opozita e asaj kohe (PS), lajmëroi protestë pas skandalit me videon Ilir Meta- Dritan Prifti, ku flitej për “7%” e një koncesioni. Teksa po protestohej para Kryeministrisë, për një moment nisën të dëgjoheshin të shtëna armësh brenda territorit të kryeministrisë, dhe këto të shtëna lanë të vdekur Hekuran Dedën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikajn. Hetimi i parë çoi si të pandehur për ngjarjen Ndrea Prendin dhe Agim Llupon. Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite heqje lirie.