Kjo e 9 nëntorit është pjesëmarrja më e ulët e regjistruar ndonjëherë në një proces zgjedhor në Shqipëri.
Nga 334.539 qytetarë me të drejtë vote në pesë bashkitë ku u zhvilluan zgjedhjet e pjesshme vendore të kësaj të diele, vetëm 46.696 votuan, ose rreth 18.45 për qind e trupës elektorale.
Rekordin negativ e mbajti Vlora, me vetëm 12.54 për qind të pjesëmarrjes, e ndjekur nga Berati me 19.98 për qind, Cërriku me 25 për qind, Tepelena me 34.63 për qind dhe Mati, që ishte bashkia më aktive, me 39.36 për qind.
Rënia e pjesëmarrjes duket se është shenjë e konsumimit të sistemit politik dhe e lodhjes së qytetarëve nga rituali i përsëritur i një gare pa garë.
Socialistët hynë në këto zgjedhje me një vetëbesim të plotë, të bindur se fitorja ishte e garantuar, dhe për këtë arsye u angazhuan minimalisht, pa fushatë reale dhe pa ndonjë përpjekje për të zgjuar interesin e elektoratit.
Opozita, nga ana tjetër, e shmangu bojkotin formal, por mbajti një qëndrim ambig, duke mbështetur kandidatë të pavarur, si një mënyrë për t’u përfaqësuar në fletën e votimit. Kjo strategji u pasua me një mungesë të theksuar motivimi, ndërkohë që në terren nuk u pa një fushatë reale.
Në njërën anë votuesit opozitarë nuk donin të mbështesnin një proces që e konsiderojnë farsë, por as nuk kishin një alternativë reale për t’u përfaqësuar.
Pjesëmarrja e ulët e votuesve duket se do të ndikojë direkt në legjitimitetin e kryetarëve të bashkive që do të qeverisin, do të firmosin buxhete dhe projekte, por askush nuk mund të thotë me bindje se përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve.
Për pasojë, më shumë se për emrat fitues të bashkive, zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit do të kujtohen si dëshmi e një shoqërie që ka humbur besimin se vota ka fuqinë të bëjë ndryshimin./Lapsi.al
Kandidatët
1- Bashkia Vlorë
Brunlida Mersini PS
Dionis Sota i pavarur, mbështetet nga PD
Gjergji Nika i pavarur
2- Bashkia Berat
Ervin Ceca PS
Pavlo Shkarpa i pavarur, mbështetet nga PD
3-Bashkia Tepelenë
Gabriel Guma i pavarur, mbështetet nga PD
Gramoz Sako PS
4- Bashkia Mat
Altin Bojni PS
Eduard Brahilika i pavarur, mbështetet nga PD
Suzana Pasha e pavarur
5- Bashkia Cërrik
Florenc Doka PS
Eligert Hima Shqipëria Bëhet
Amarildo Hoxha i pavarur, mbështetet nga PD





