Gjykata Kushtetuese ka vendosur të kalojë për shqyrtim në seancë, ankimimin e kryeministrit Edi Rama për vendimin e Gjykatës së Posaçme (GJKKO) për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut si zv.kryeministre dhe ministre të Infrastrukturës. Mësohet se 5 gjyqtarë kanë votuar pro pranimit të kërkesës së Edi Ramës, ndërkohë që 3 të tjerë kanë votuar kundër shqyrtimit të ccështjes së pezullimit të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës.
Sa i përket ankimimit të qeverisë në Kushtetuese, kryeministri Edi Rama kërkon shfuqizimin e vendimit. Në kërkesën drejtuar Kushtetueses, qeveria kërkon pezullimin e vendimit të GJKKO vetëm për pjesën e pezullimit nga detyra të Belinda Balluku, teksa argumenton se ky vendim sjell pasoja të rënda të interesit shtetëror e shoqëror.
Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi për pezullim nga detyra të zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ndalim daljeje jashtë vendit. Gjykata arsyetoi se vendimi erdhi pasi Balluku mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. GJKKO ka caktuar edhe arrest shtëpie për kreun e ARRSH-së, Gentian Gjyli dhe Erald Elezin, aktualisht drejtor i KESH.





