Zbardhet dëshmia e 52-vjeçares italiane Agata Karbonara, e cila u godit nga një plumb qorr natën e Vitit të Ri në Tiranë. Raportohet se gruaja ka deklaruar se në momentin që mori plumbin në qafë, ka qenë bashkë me bashkëshortin e saj duke ecur në bulevardin “Zogu i I”. Ndërsa shton se plumbi erdhi nga lart dhe e la të plagosur. Ao vijon të jetë e shtruar në spitalin e Traumës në Tiranë.
Agata Karbonara: Po ecja bashkë me burrin kur një plumb erdhi nga lart dhe më goditi në qafë.
Ndërkohë gjatë kësaj të mërkure, avokati i saj Vito Leonardo Candeloro kërkoi ndihmë që transportimi i saj drejt Barit të bëhet në një kohë sa më të shpejtë. Edhe pse gruaja, biznesmene italiane, ndodhet jashtë rrezikut për jetën, avokati i saj kërkon që ajo të dërgohet në vendin e saj të lindjes, për t’iu nënshtruar një ndërhyrje më të specializuar.
Rasti është pasqyruar dhe në mediat italiane. Këto të fundit shkruajnë se pavarësisht se gruaja nuk është në gjendje të rëndë, i duhet të transportohet në Itali për t’iu nënshtruar një operacioni.
Mjekët shqiptarë nuk kanë lejuar transportin me traget të saj, duke thënë se rreziku është shumë i madh. Sipas tyre, transporti duhet kryer me avion ose helikopter. Për këtë transport janë të nevojshme 15 mijë euro, prandaj avokati kërkon ndihmë.