Gjykata e Posaçme ka dënuar për fyerje kreun e Partisë Mundësia, Agron Shehaj, në gjyqin përballë Adriatik Lapajt.
Ndërkohë që Gjykata e Posaçme ka shpallur të pafajshëm Shehajn për akuzën e shpifjes. Kreu i Partisë Mundësia është dënuar me një gjobë prej 300 mijë lekësh.
Adriatik Lapaj e paditi Agron Shehajn për shpifje, në lidhje me deklarata publike të këtij të fundit, ku ka pretenduar për lidhje të Lapajt me eksponentë të botës së krimit.
Shehaj e akuzoi Lapajn se kishte marrë 4.5 milionë lekë nga një kompani e sekuestruar nga SPAK pasi përdorej për të pastruar paratë e një grupi kriminal, e cila i përkiste bandës Çopja që vepronte në Elbasan.
Lapaj mohoi akuzat duke thënë se paratë nuk i kishte marrë dhe ishin thjesht detyrime ndaj shërbimeve si avokat ndaj kompanisë në fjalë.





