“Skema do rishikohet në shtator”! 2 orë takim me ministrat Salla dhe Malaj, ‘përçarje’ mes fermerëve! Njoftohet rritje fondesh për blegtorinë

Një përfaqësi prej 10 fermerësh zhvilloi një takim me ministrat Andis Salla dhe Petrit Malaj, pas protestës kundër skemës së re të bujqësisë. Takimi, i cili zgjati rreth dy orë, përfundoi me dakordësinë që skema të rishikohet në muajin shtator.

Gjatë diskutimeve u bë e ditur se nafta për fermerët nuk do të jetë pa taksa, por do të ofrohet me një akcizë rreth 20% më të ulët, ndërsa ministri i Financave refuzoi heqjen e plotë të saj.

Megjithatë, pas përfundimit të takimit, një pjesë e fermerëve kundërshtuan marrëveshjen e arritur dhe u përfshinë në përplasje verbale jashtë Ministrisë së Bujqësisë. Fermerët që ishin në pritje u shprehën se duan zgjidhje sot dhe jo në shtator.

Pjesë nga diskutimi mes fermerëve:

Fermerja: Unë ty s’të njoh… atëherë çfarë premtimesh u dha?

Fermeri (ishte pjesë e takimit me ministrat): Nafta…

Fermerja: Sa është për krerë?

Fermeri: 120 mijë lekë të vjetra për lopë

Fermerja: Ça është kjo 120 mijë lekë të vjetra për lopë?

Fermeri: Tani çfarë të bëjmë, ne nuk e ndryshojmë dot

Fermerja: Zbrit poshtë të pështyj surratit, thuaji. Zbrit poshtë, ytan.

Lajme të tjera |  Rama- protestuesve: Delirantë, injorantë dhe dështakë-zemërakë!

Fermeri: Çfarë t’ju them unë? Unë jam si ju

Fermerja: Pse pranove?

Fermeri: Ishim 10 veta.

Fermerja: Pse nuk është lufta për rajonin? Nuk dua 120 mijë lekë. Nuk mban më, nuk mban më o vëlla.

Fermeri: Nëse nuk i mbajnë premtimet do vijojmë sërish.

Fermerja: Një lindje lope do 5000 lekë veterineri, një sëmundje 100 mijë lekë, këta na japin 120 mijë lekë. Me kë tallen?

Fermeri: Të lutem…

Gjatë takimit u shqyrtuan çështjet që lidhen me subvencionimin, funksionimin e tregut, konkurrencën dhe standardet e produkteve. Në vijim, Ministria e Bujqësisë bëri me dije se, përmes Skemës Kombëtare të këtij viti, fermerët do të përfitojnë mbështetje të shtuar:

-Pagesa direkte për lopët nga 10,000 në 12,000 lekë

-Pagesa për të imtat nga 1,200 në 1,500 lekë

-Pagesa për koshere bletësh nga 1,000 në 2,000 lekë

-Mbështetje e re për derrin dhe reduktim i pragjeve minimale të përfitimit

Ministri Salla ka deklaruar se vlera totale e pagesave direkte për blegtorinë parashikohet të rritet nga 2.5 miliardë lekë në vitin 2025 në rreth 4 miliardë lekë për vitin 2026. Për herë të parë, fermerët prodhues të qumështit do të përfitojnë 10% të vlerës së faturave të shitjes, një mbështetje shtesë jashtë Skemës Kombëtare për të nxitur formalizimin dhe prodhimin vendas.

Lajme të tjera |  36 bashki apo më shumë?

Po ashtu, do të intensifikohen kontrollet mbi produktet e importit në pikat kufitare dhe do të nisë mbështetja për forcimin e kapaciteteve laboratorike, për të rritur standardet e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së konsumatorit.

Ashtu si ishte njoftuar Shoqata “Blegtorët Prodhues të Qumështit” u mbledh këtë të martë përpara ministrisë së Bujqësisë, ministrisë së Financave dhe Kryeministrisë për të protestuar për skemën kombëtare 2026. Blegtorët bëjnë thirrje për politika më të qëndrueshme për sektorin e bujqësisë.

“Bojkotoni ushqimin serb”, “Kontribuo të ushqehemi shëndetshëm”, “Naftë pa taksa”, “Bojkotoni fermat serbe”, “Duam ministri bujqësie jo propagandë”, “Naftë pa taksa”,-janë disa nga pankartat që blegtorët mbajnë në duar ndërsa protestojnë përpara institucioneve.

Blegtorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet për të përmirësuar kushtet e punës dhe për të garantuar mbështetje konkrete për prodhimin vendas

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa fermerët paralajmërojnë se do të vazhdojnë me kundërshtimet e tyre deri sa kërkesat të adresohen.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us