Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, denoncoi sot një vendim të qeverisë, përmes të cilit, sipas tij, Edi Rama ka shpallur investitor strategjik kompaninë RAMS Albania, duke i dhënë rreth 88.8 hektarë (gati 1 milion m²) tokë në Vlorë.
Gjatë deklaratës së tij, Shehaj publikoi dokumentin e vendimit të qeverisë dhe tha se kompania ka si përfaqësues publik aktorin turk të njohur si “Osmani”, duke e cilësuar këtë si një tjetër rast të dhënies së pronës publike për interesa të Ramës.
“Tani, është e qartë që Edi Ramës i ka ardhur fundi dhe po kërkon në çdo mënyrë të shpëtojë, t’i shpëtojë drejtësisë dhe të mbajë pushtetin”, thekson Shehaj.
Shehaj i referohet një vendimi të Këshillit të Ministrave që po qarkullon gjerësisht në rrjet, ku thuhet se qeveria shqiptare ka miratuar transferimin e 88.5 hektarëve tokë shtetërore në qytetin e Vlorës, e cila do të vihet në dispozicion të kompanisë “RAMS Albania” për zhvillimin dhe realizimin e projektit të investimit strategjik të quajtur “Vlorë TEDA/RAMS Free Zone”, ku do të ndërtohet një zonë e lirë ekonomike.
Kompania në fjalë rezulton të jetë pronësi të Mehmet Faruk Burbul, pronar i korporatës ndërkombëtare gjigante “RAMS Global” me seli në Almaty të Kazakistanit
Dyshimet për përfshirjen e aktorit turk janë ngritur nga fakti se prej marsit të vitit 2025, Burak Ozçivit u shpall zyrtarisht imazh dhe partner zyrtar i “RAMS Global” në disa projekte të mëdha ndërkombëtare në Irak dhe Kazakistan.
Kujtojmë se sezonin veror të vitit të kaluar aktori turk ishte me pushime në Vlorë.





