Këtë të mërkurë po zhvillohet mbledhja e Këshillit të ri Kombëtar të Partisë Demokratike, dalë nga zgjedhjet e muajit maj.
Anëtarët e Këshillit Kombëtar do të zgjedhin anëtarët e Kryesisë së PD. Në këtë garë do të marrin pjesë të gjithë të interesuarit, prej të cilëve do të zgjidhen vetëm 20 anëtarë. Këta të fundit do të bëhen me dije në përfundim të mbledhjes.
Një tjetër pikë e rëndësishme është zgjedhja e kryetarit të Këshillit Kombëtar. Kështu, Edi Paloka që deri më sot e ka mbajtur këtë post, do të zëvendësohet.
“PD e mbështet fuqimisht këtë lëvizje, do bëjmë gjithçka që të ketë sukses”, theksoi Sali Berisha sa i takon protestës qytetare që po zhvillohet në kryeqytet prej një muaji, ndërsa nuk përmendi faktin që qytetarët kërkojnë dhe largimin e tij.
Berisha ripërsëriti misionin historik të të djathtëve: rikthimin e votës së lirë. Kështu, u bëri thirrje shqiptarëve të mos e humbasin shansin historik për t’i dhënë një ndihmë gjeneratës Z që po lufton jo vetëm për Shqipërinë e sotme, por edhe atë të së ardhmes.
“Është tradhti ndaj idealeve të lirisë po të mos e mbështesësh këtë lëvizje”, tha ai.
“Të gjitha rrjetet sociale duhet të jenë në funksion të tyre se janë brezi digjital. Të postojë, të ripostojë, të klikojë… I përshëndes edhe ato blogere që u bënë frymëzim”, shtoi kreu i PD-së.





