Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se nuk ka ndërmend të bëjë armëpushim me Iranin. Duke folur për gazetarët të premten në Shtëpinë e Bardhë, Trump vijoi me kritikat ndaj aleatëve të NATO-s, për mospërfshirjen e tyre në lirimin e kalimit në Ngushticën e Hormuzit.
“Nuk dua të bëj armëpushim. Nuk bëhet armëpushim kur po e zhduk palën tjetër”,tha Trump.
Ai gjithashtu shpjegoi atë që po ndodh në fushën e betejës. “Po i godasim fort, nuk mendoj se mund të goditet një kundërshtar më fort se kaq. Ata janë banditë, kafshë dhe njerëz të tmerrshëm”,tha Trump duke iu referuar regjimit iranian.
I pyetur nëse Izraeli do të jetë gati të ndalojë luftën, kur të jetë gati edhe Amerika, Trump tha: “Mendoj se po. Ne duam pak a shumë të njëjtat gjëra dhe të dy duam fitoren”.
Trump shtoi se NATO nuk po bën punën e vet për të siguruar rrugëkalimin e lirë në Ngushticën e Hormuzit. “Ne nuk e përdorim, por shtetet e tjera po”, tha ai. “NATO mund të na ndihmojë, por deri tani nuk ka pasur guximin për ta bërë”.
Trump ka theksuar se do të ishte mirë që Kina dhe Japonia të ndihmonin në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit.
“Ne nuk e përdorim ngushticën. Në një pikë të caktuar, ajo do të hapet vetë. Ndaj do të ishte mirë nëse vendet që e përdorin ngushticën, si Kina dhe Japonia, të përfshiheshin”, tha ai.





