Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka zbuluar të dhëna nga dosja e SPAK për zv/kryeministren Belinda Balluku, ku tregohet se kjo e fundit ka intimiduar një dëshmitare.
Sipas Bardhit, rreziku i intimidimit të dëshmitarëve dhe prishjes së provave është arsyeja kryesore pse ligji parashikon masa sigurimi. Ai thekson se SPAK, përmes metodave speciale të hetimit, ka provuar se Belinda Balluku ka intimiduar dëshmitarë.
“Në vijim të hetimit me metoda speciale ka rezultuar se nga ana e të pandehurës Belinda Balluku, gjatë kohës që ajo është njohur me akuzën nga organi i procedurës dhe ushtronte detyrën si zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ushtruar presion me forma të ndryshme ndaj personit të pyetur në këtë procedim, konkretisht shtetases M.K., (vartëse e saj)”, thuhet në një pasazh të dosjes hetimore dhe materialit që ka dërguar SPAK në Kuvend, ku kërkohet heqja e imunitetit në shtesë argumenti.

“Provat ekzistojnë, madje janë sjellë edhe në Kuvend, por Niko Peleshi i ka mbyllur në kasafortë”, shkruan Bardhi, duke e cilësuar fshehjen e fakteve dhe zvarritjen e çështjes si manovra të dëshpëruara të Edi Ramës për të blerë kohë.
Sipas tij, çdo minutë që Belinda Balluku vazhdon të qëndrojë në detyrë përbën një vendim të drejtpërdrejtë politik të kryeministrit, me qëllim mbrojtjen e vetes dhe jo interesin publik.
Bardhi thekson se kryeministri nuk ka më asnjë rrugëdalje politike dhe se duhet të bëjë një zgjedhje të qartë: “Të dorëzojë të pandehurën Belinda Balluku para drejtësisë ose të mbajë përgjegjësi për pengimin e drejtësisë”.





