Berisha: E kemi kundërshtuar marrëveshjen e refugjatëve, por kundër Italisë nuk protestojmë kurrë


Kryetari i Partisë Demokratike thotë se e ka kundërshtuar marrëveshjen e refugjatëve por nuk do të protestonte kurrë kundër Italisë. Në një takim me mbështetësit e tij në Lezhë, Berisha tha se procedura është antikushtetuese dhe se Kryeministri nuk ka tagër për të firmosur dhënie të territorit.

Ju e dini, unë dhe PD e ka kundërshtuar marrëveshjen e sjelljes së refugjatëve.
Pse?

Së pari, nuk jemi kurrë, nuk mund të jemi kurrë as ksenofobë, as racistë. Ne jemi komb që e kemi një të tretën tonë jashtë. Dhe ne nuk duam të ngjallet ksenofobi dhe racizëm tek ne. Imagjinoni ju sikur kombet e tjera të dalin të protestojnë në rrugë kundër shqiptarëve, se si do na duket ne.

Por ka probleme të të drejtave të njeriut, dhe unë që jam këtu ju them se kur më kanë kërkuar aleatë të mëdhenj shumë vite më para një gjë të tillë, nuk e kam pranuar.

Nuk e kam pranuar për shkak të të drejtave të njeriut. Se këto kampe krijojnë probleme të të drejtave të njeriut.

E dyta, procedura është antikushtetuese. Kryeministri nuk ka tagër për të firmosur dhënie të territorit. A jepet territori? Po, jepet, të mos jemi në konceptet e mëparshme. Një aleati i jepet një copë territor kur i duhet.

Por kjo bëhet siç e thotë Kushtetuta dhe jo siç e thotë me duar në xhepa Edi Rama siç do ai.

Ne jemi parti e ligjit, parti e kushtetutshmërisë.

Këto dy janë arsyet pse ne e kemi kundërshtuar.Dhe ju duhet ta dini, meqë jam këtu PD nuk mbështet protesta. Ka pasur nga ata që janë mërzitur pse Lindita nuk ka dalë në protestë.

Ne nuk bëjmë protestë kundër emigracionit. Ne jemi komb mikpritës, nuk ngrihemi ne kundër virtytit më të arrirë shpirtëror që kemi ne, ndaj atyre njerëzve që janë të braktisurit e e kohës.

Sado që nuk e pranojmë marrëveshjen, por protestë që të marrë nuanca ksenofobe, raciste, ne nuk bëjmë. Nga ana njerëzore.

Së dyti, ne jemi parti e qendrës së djathtë dhe ju lutem më kuptoni drejt, janë partitë e ekstremeve ato që bëjnë protesta të tilla. Nuk jemi parti ekstremi ne.

E treta, të jem i hapur. nuk bëjmë protesta kundër Italisë. Pse? Një vend mik, dhe e kam thënë edhe në takime të tjera, po e them edhe këtu para jush me kënaqësi dhe vërtetësi, Italia ka dhënë miliarda me koperacionin, por shumë më tepër ka dhënë nga ajo që kanë mësuar lezhjanët, krutanët, dibranët, vlonjatët, korçarët, elbasanasit, tropojasit duke shkuar në Itali, mësuar dhe kthyer këtu e duke zbatuar në ferma, sipërmarrje, restorante. Kanë transformuar Shqipërinë këta në këtë mënyrë.

Të jemi realistë, më shumë nga çdo vend tjetër.

Dhe të dalë PD dhe të protestojë kundër një vendi, që ka këtë realitet, nuk jam. Unë nuk mund ta sugjeroj një gjë të tillë.

Por ne e çuam në Gjykatë Kushtetuese, ne i qëndrojmë asaj.

E keni parë ju, presidenti që duhet të flasë, hesht sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese kur rrëzuan marrëveshjen që firmosëm me Greqinë, thotë se kur bie probleme për territore dhe çështje të integritetit territorial, është presidenti që jep autorizimin kryeministrit ose ministrit të jashtëm për të negociuar.
Por Edi Rama e ndjen veten president, kryeministër, ministër të jashtëm, gjykatës, prokuror dhe çdo gjë.

Ndaj dhe ne e kemi dërguar. Më vjen mirë që pata rastin të flas me ju për këtë problem.f

Lajme të tjera |  A mund të jetë kjo zgjidhja për problemin e pensioneve?

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us