Gjykata e Shkallës së Parë e Jurisdiksionit të Përgjithshëm në Berat ka caktuar masat e sigurisë për tre personat e arrestuar dy ditë më parë në kuadër të operacionit të koduar “Again”, pas kapjes së 8 ton domateve me pesticide ne Kroaci dhe qe ishin eksportuar nga Shqiperia.
Pas seancës gjyqësore të mbajtur ditën e sotme, gjyqtarja Ardiola Çela vendosi “Arrest në burg” për Mariglen Qorrin, 40 vjeç, pronar i kompanisë së eksportit të perimeve dhe “Arrest në shtëpi” për Griselda Doksanin, 25 vjeçe dhe Ronaldo Lika, 27 vjeç, të dy punonjës të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Berat.
Hetimet
Hetimet kanë zbuluar se Qorri kishte eksportuar drejt Kroacisë 8 tonë domate, të cilat pas analizave të kryera nga autoritetet kroate kishin rezultuar me përmbajtje të lartë të substancës së ndaluar “Chlorefenapyr” dhe për rrjedhojë ishin asgjësuar. Gjithashtu, sipas prokurorisë, për të shmangur përgjegjësinë ligjore, ai ka përdorur fatura fiktive blerjeje nga fermerë të tjerë.
Ndërkohë, punonjësit e AKU-së Griselda Doksani dhe Ronaldo Lika, të cilët kishin kryer kontrollin në subjektin e Qorrit, akuzohen për “Shpërdorim detyre”, pasi sipas hetimeve, ata kanë plotësuar dokumentacionin e kontrollit në mënyrë fiktive, pa reflektuar gjendjen reale të produkteve.
Operacioni “Again” është një ndër ndërhyrjet më të fundit të organeve ligjzbatuese në fushën e sigurisë ushqimore dhe luftës kundër mashtrimeve në zinxhirin e prodhimit dhe eksportit bujqësor.





