Është shtyrë për në datën 15 prill seanca gjyqësore për dosjen “Partizani” në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe të tjerët.
Në seacën e zhvilluar ditën e sotme në GJKKO, Prokuroria e Posaçme ka paraqitur kundërshtimet për provat e bëra nga të pandehurit përmes avokatëve mbrojtës.
Prokurorja e SPAK, Enkeleda Millonai, është shprehur për kërkesat e marrjes në pyetje të kryeministrit Edi Rama, Silva Bellos dhe Ermir Hasës se “duhet të citohet se për çfarë do të thirren dhe çfarë do të cilësojnë”, ndërsa ia ka lënë në dorë gjykatës të vendosë. Edhe për kërkesën që të thirret si dëshmitar oficeri i Policisë Gjyqësore Besmir Karanxha për të cilin mbrojtja e ka quajtur “aktivist politik”, SPAK është shprehur që të mos pranohet. “Emërimin e ka marrë në vitin 2023”, thotë SPAK.
SPAK në gjyqin Partizani: Në lidhje me sendet e tjera për telefonat janë paraqitur ankesa në Kushtetuese dhe Kushtetuesja ka vendosur në 2024 mos kalimin në seancë gjyqësore. Përsa i përket kërkesës për thirrjen e Edi Ramës nga ana jonë s’ka kundërshtime e lëmë në gjykim të gjykatës.
“Megjithatë nuk e dimë çfarë do provohet me thirrjen e këtyre dëshmitarëve si pyetja e dëshmitarit Besmir Karanxha që ishte hetues për të cilin është sjellë një foto me Ulsi Manjën. Çfarë kërkojnë të provojnë me pyetjen e këtij dëshmitari”, tha në fjalën e saj prokurorja e dosjes Enkelejda Millonai.
Avokatja Klodiana Gjyzari: E para pretendimet e mbrojtjes janë ekskluzivitet i mbrojtjes. Ne kemi paraqitur provat tona. Ku pretendojmë hetimin politik. Ne duam të provojmë me dëshminë e B. Karanxhës pikërisht këtë, hetimin politik.
Avokati Klodian Skënderi: Për aktet e ekspertit ne i kërkuam dhe duhet t’i nënshtrohen shqyrtimit gjyqësor. Për pretendimin e prokurorisë se nuk duhen të pranohen provat për praktikat e ngjashme të privatizimit duam standardin se pyetja është: përse praktikat e tjera janë të ngjashme sepse janë privatizuar pasuri në qendër të Tiranës me vlera të shumëfishta më shumë se Partizani. Dhe përse Partizani ngrihet si çështje penale. Me këto praktika që kemi sjellë ne duam të provojmë se hetimi është thellësisht politik.
Më 16 janar të këtij viti, Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi sekuestrimin e pasurive të Jamarbër Malltezit, i cili është marrë i pandehur për dosjen Partizani. Në muajin mars të vitit të kaluar ishte Gjykata Kushtetuese që pas shqyrtimit të ankimimit rrëzoi padinë e bashkëshortëve Jamarbër dhe Argita Malltezi, që në nëntor 2024 i kërkuan kthimin e 25 pasurive të bllokuara për shkak të dosjes ‘Partizani’.
Në vitin 2023, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me kërkesë të SPAK, ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për 25 pasuri të paluajtshme në pronësi të tij dhe bashkëshortes, Argita Malltezi, mes tyre 6 llogari bankare.





