Përpos rritjes së përshkallëzuar, pensionet në Shqipëri do të indeksohen me 2.2% në muajin gusht të këtij viti.
Kjo rritje synon që vlera reale e pensioneve të mos “gërryhet” nga rritja e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve në vend.”
“Për indeksimin e pensioneve duhet të merren më shumë parasysh mallrat dhe shërbimet që pensionistët konsumojnë më tepër, ndryshe nga pjesa tjetër e popullsisë. Pavarësisht indeksimit, kur dalin në treg për të blerë mallra dhe shërbime, pensionistët penalizohen, sepse ritmi i indeksimit nuk përputhet me ritmin real të rritjes së çmimeve.” – shprehet Kujtim Hoxha.
Megjithatë, edhe pse qëllimi i indeksimit është ruajtja e standardit të jetesës së pensionistëve, duhet pritur rreth gjashtë muaj deri në momentin e zbatimit të tij, kohë gjatë së cilës çmimet vijojnë të rriten.
“Indeksimi i pensioneve bëhet mbi bazën e inflacionit mesatar të një viti më parë dhe jo mbi ndryshimet mujore të çmimeve, pavarësisht statistikave që publikon INSTAT. Në këtë mënyrë, fuqia blerëse e pensionistit vijon të tkurret.” thekson eksperti Hoxha.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, grupet e mallrave që kanë shënuar rritjen më të lartë të çmimeve janë ushqimet dhe pijet joalkoolike, zëra që kanë peshë vendimtare në shportën e konsumit të moshës së tretë./vizionplus.tv





