Gjykata Kushtetuese sqaron opinionin publik: Vendimi për Ballukun nuk është mbyllur, s’ka asnjë votim

Gjykata Kushtetuese ka dalë me një sqarim zyrtar për publikun dhe median, duke përgënjeshtruar kategorikisht deklaratat publike që kanë qarkulluar së fundmi lidhur me një gjoja vendimmarrje apo votim të saj për pezullimin e masës “pezullim nga detyra” ndaj Belinda Ballukut.

Në deklaratë, Gjykata u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë dhe publikë të tregohen të matur në deklarata, duke paralajmëruar se komentet e nxituara dhe përgojimi i gjyqtarëve apo i institucionit në tërësi cenojnë procesin e rregullt kushtetues dhe krijojnë përshtypje paragjykimi.

Gjykata Kushtetuese thekson se vendimmarrja e saj duhet të mbetet e pavarur dhe e pandikuar nga presioni publik apo keqinformimi, duke ritheksuar se integriteti dhe autoriteti i saj janë thelbësore për ruajtjen e besimit të publikut.

Lajme të tjera |  Video/ Para me thasë nga Posta Shqiptare në Durrës, momenti kur ish-shefja e financës ‘zbraz’ arkën dhe largohet!

Sqarim për publikun dhe median

Në vijim të deklaratave mediatike publike, të bëra nga subjekte të ndryshme që ushtrojnë funksione publike ose private, në lidhje me procedurën e ndjekur dhe rezultatin e votimit për vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr.118, datë 19.11.2025, dhe nr.120, datë 22.11.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, Gjykata Kushtetuese i përgënjeshtron këto deklarata si tërësisht të pavërteta.

Gjykata Kushtetuese risjell në vëmendje se bëhet fjalë për një procedurë gjyqësore kushtetuese në vijim e sipër dhe se, në datën 22.01.2026, do të marrë në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë dhe subjekte të interesuara Presidentin e Republikës, Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykatën e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Për të garantuar procesin e rregullt, sipas standardeve kushtetuese, dhe për të shmangur çdo mundësi paragjykimi, qoftë edhe në dukje, ftohen të gjithë aktorët dhe personat e përfshirë në këtë diskutim publik që të tregohen të matur dhe të kujdesshëm në deklaratat e tyre, duke mos përgojuar gjyqtarë individualë apo institucionin e Gjykatës Kushtetuese në tërësi.

Lajme të tjera |  Berisha publikon akuzat e eurodeputetit: Rama përdor familjarët për të nxjerrë para jashtë

Gjykata Kushtetuese rithekson përkushtimin e saj për ushtrimin e funksionit kushtetues me transparencë dhe respekt të plotë të procedurave kushtetuese e ligjore, duke i bërë përsëri thirrje të gjithë aktorëve për respektimin e integritetit dhe autoritetit të saj, me qëllim sigurimin e besimit të publikut dhe garantimin e pavarësisë së vendimmarrjeve gjyqësore, të cilat në asnjë rrethanë nuk duhet të ndikohen nga çdo keqinformim për publikun, nga cilido subjekt të vijë ai.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us