“Sulmi në Banjskë është një akt shumë i rëndë që Italia e ka dënuar me vendosmërinë më të madhe dhe që absolutisht nuk duhet të përsëritet”, ka thënë Antonio Tajani.
Këto komente, ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, i ka bërë në një intervistë për gazetën italiane “Messaggero Veneto”, ku ka theksuar se prioritet momentalisht për Kosovën dhe Serbinë është “rinisja e procesit politik për të shmangur tensionet apo incidentet e mëtejshme”.
“Ky ishte mesazhi kryesor që së bashku me Bashkimin Evropian, Gjermaninë, Francën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës sollëm në Beograd dhe Prishtinë më 21 tetor të kaluar”, deklaroi Tajani, duke iu referuar vizitës së “Pesëshes së Madhe” në Kosovë dhe Serbi, të cilët e sollën një “plan të ri” për të vazhduar rrugën para në dialogun e ndërmjetësuar nga BE
“Italia do të vazhdojë të bëjë pjesën e saj në mënyrë që dialogu të vazhdojë në mënyrë konstruktive dhe që të parandalohen përplasjet e mëtejshme falë punës së misionit NATO-s, KFOR – në të cilin ndër kontribuuesit kryesorë është vendi ynë”, ka shtuar kryediplomati italian.
Kjo deklaratë e kryediplomatit italian, vjen në një kohë kur vendet perëndimore – sidomos pas sulmit terrorist në Banjë – përshirë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë shtuar përpjekjet e tyre diplomatike për një zgjidhje kompromisi mes dy vendeve fqinje.
Në këtë drejtim është edhe propozimi evropian për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – të cilin Kosova e ka pranuar në parim.
Nga ana tjetër, Serbisë po i kërkohet që ta njohë de facto Kosovën.
Në fakt, këto që bashkësia ndërkombëtare, posaçërisht BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po i kërkojnë nga Kosova dhe Serbia, janë gjëra që vetë vendet respektive janë zotuar se do t’i zbatojnë, përkatësisht me pranimin e Marrëveshjes Bazë (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, më 18 mars).