Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov u përball me disa ndërprerje teksa po fliste në samitin e OSBE-s në Shkup të Maqedonisë së Veriut. “A mund të më lini të qetë? Ju lutem! Faleminderit!”, tha Lavrov në anglisht dhe më pas vazhdoi fjalimin e tij në rusisht.
Mbetet e paqartë se kujt iu drejtua në këtë mënyrë, por thuhej se delegacioni ukrainas ishte larguar nga salla në momentin kur Lavrov nisi fjalimin e tij. Lavrov mbërriti në Shkup për të marrë pjesë në takimet e organizuara nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Diplomatët e disa vendeve anëtare të OSBE-së, përfshirë Ukrainën, e bojkotuan ngjarjen për shkak të pjesëmarrjes së planifikuar të Lavrovit në mes të luftës së Rusisë në Ukrainë
Ministri i Jashtëm rus foli për 15 minuta para se të largohej nga takimet. Pothuajse të gjithë diplomatët perëndimorë, që folën në ditën e parë të samitit që nisi të premten dhe do të përfundojë sot, e dënuan Rusinë për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës, që e nisi vitin e kaluar, dhe synimet e saj për destalizimin dhe shtrirjen e ndikimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë.