Lufta “shkatërron” tregun e karburanteve në Shqipëri: Nafta “si raketë”, arrin 202 lekë/litër në Tiranë

Lufta në Lindjen e Mesme është futur në javën e tretë, por ndonëse tashmë kanë kaluar disa ditë dhe vëmendja largohet ndjeshëm, në fakt ndodh e kundërta, pasi pasojat që lë pas ndihen gjthnjë e më shumë. Tregu i karburanteve është më i godituri nga lufta dhe çdo ditë po reflekton pasojat ‘në tabela’, me çmime që nuk po njohin limite.

Mjafton të hedhësh një sy dhe vëren se çmimi i naftës nuk është asnjë ditë i njëjtë. Në rënie? Jo. Por, në rritje. Madje, këtë martë çmimi i naftës me pakicë ka arritur vlerën më të lartë që prej nisjes së luftës në lindjen e Mesme. Në pikat e karburantit në kryeqytet po tregtohet deri në 202 lekë, nga 173-175 lekë para luftës; një rritje me gati 29 lekë për litër.

Lajme të tjera |  36 bashki apo më shumë?

Në fakt, pas nisjes së luftës në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës në tregun e pakicës ka ndryshuar disa herë. Rritja e çmimit të naftës në tregun vendas nuk është ndalur që prej datës 4 mars, si pasojë e luhatjeve të forta në tregjet ndërkombëtare pas përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme.

Nga Shoqata e Hidrokarbureve sqarohet se nafta është një produkt që tregtohet në bursat e huaja, dhe çmimi i pakicës reflekton ndryshimet e tregjeve të huaja. Në bursat e huaja çmimi i naftës “brent crude” ka arritur 103 USD për fuçi. Para nisjes së konfliktit nafta në bursat e huaja tregtohej me çmim  65 USD për fuçi.

Ndërkohë, në vendin tonë, autoritetet kanë njoftuar ngritjen e një Task Force monitorimi për të ndjekur zhvillimet në treg pas rritjes së çmimeve të naftës. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se tregu i karburanteve do të jetë në monitorim 24 orë. Sipas saj, institucionet do të analizojnë të dhënat mbi çmimet e karburanteve që hyjnë në vend përmes administratës doganore dhe platformës ndërkombëtare të tregtimit të karburanteve.

Megjithatë, ministrja shtoi se ende nuk ka nevojë për krijimin e një Bordi Transparence. Kjo do të ndodhte vetëm nëse shtrenjtimi do të arrijë shifrat e vitit 2022 kur nisi lufta në Ukrainë.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us