Ka përfunduar pas gjashtë orësh në GJKKO seanca paraprake gjyqësore ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-deputetes Monika Kryemadhi. Në seancën e sotme SPAK ka lexuar gjysmën e dosjes, 130 faqe nga 230 faqe që ka dosja, ku ka paraqitur aktakuzat dhe provat bashkangjitur.
Pas përfundimit të paraqitjes së aktakuzës dhe provave nga ana e SPAK, në seancat e ardhshme pritet që fjala t’i kalojë mbrojtjes. Ky proces është pjesë e hetimeve për çështjet që lidhen me aktivitetin e ish-presidentit dhe personave të tjerë të përfshirë në dosje, ku SPAK kërkon kalimin e saj në gjykim.
Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara.





