Monika Kryemadhi e ftuar në emisionin “Breaking” në Top News, në një bisedë të hapur në studio, me një filxhan kafeje përpara, foli për marrëdhënien me ish-bashkëshortin Ilir Meta.
Kryemadhi u ndal tek ndarja e tyre pas 33 vitesh martesë, si edhe për përjetimet personale në raport me zhvillimet e fundit, përfshirë edhe SPAK-un.
E pyetur për ndarjen me Ilir Metën dhe refuzimin e tij ndaj saj, Kryemadhi u shpreh se ndarja ishte e papritur jo vetëm për të, por edhe për fëmijët.
“Edhe për mua, edhe për fëmijët ishte e papritur. Në një marrëdhënie 33-vjeçare kemi pasur patjetër momente ‘up and down’, por konfliktet nuk kanë qenë personale, kanë qenë politike. Politika na ka vendosur barriera dhe na ka futur në momente shumë të vështira”, tha ajo.
Sipas Kryemadhit, divorci erdhi si pasojë e ndërhyrjeve nga jashtë dhe ndikimit të politikës dhe grupeve të caktuara të interesit. Ajo theksoi se të dy ishin të lodhur nga konfliktet e vazhdueshme dhe intensiteti i jetës që kishin bërë ndër vite.
“Njerëzit e shihnin si një jetë të bukur e luksoze, por në fakt ishte një jetë e sforcuar, e stërmunduar dhe pasojat më të mëdha i kanë pasur fëmijët”, u shpreh Kryemadhi.
E pyetur nëse Ilir Meta ndihet i tradhtuar prej saj, Kryemadhi tha se ai është ndikuar nga thashethemet dhe fjalët që i kanë shkuar ndër vite, gjë që sipas saj e ka bërë skeptik dhe të zhgënjyer.
“Ai është ndjerë i atakuar nga thashethemet që i shkonin për mua. Kjo e bëri skeptik dhe të zhgënjyer. Të gjithë meshkujt janë pak paranojakë, sidomos në një moshë të caktuar. Ne flasim për menopauzën, por duhet të flasim edhe për andropauzën”, tha Kryemadhi.





