Italia është shteti i radhës i Bashkimit Europian, që pritet ti thotë jo ftesës së Donald Trump, për të marrë pjesë në Bordin e Paqes. Më herët të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Franca, Norvegjia dhe Suedia. Sipas Corriere Della Sera, pengesa kryesore për pjesëmarrjen në Bordin e Paqes, është Neni 11 i Kushtetutës italiane. Ai i lejon Italisë të marrë pjesë në organizata ndërkombëtare që merren me paqen, por vetëm “në kushte të barabarta me shtetet e tjera”. “Kjo është e kundërta e Bordit të Paqes të hartuar nga Donald Trump, në atë që është një lloj OKB-je private me një tarifë hyrjeje prej një miliard dollarësh. Ky është dyshimi i parë që po e çon Giorgia Melonin të mos bashkohet me Bordin e Paqes, i cili do të inaugurohet nesër në malet e Davosit. Ndoshta kryeministrja përfundimisht do të marrë pjesë në takim, për arsye të marrëdhënies së mirë me Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, ajo është gjithnjë e më e vetëdijshme se nuk mund të nënshkruajë në emër të Italisë për pranim në bord, përtej tarifës së anëtarësimit të kërkuar për t’u bashkuar me klubin e Trump”,citojnë mediat italiane.
“Dhe pastaj ka një faktor tjetër, i cili u mor në konsideratë dje në mëngjes nga Kryeministrja gjatë një takimi me Zëvendëskryeministrat Matteo Salvini dhe Antonio Tajani, dhe Ministrin Guido Crosetto. Ratifikimi i traktateve ndërkombëtare do të duhej të miratohej nga Parlamenti përmes një ligji të zakonshëm, dhe nuk ka kohë të mbetur. Për më tepër, Kushtetuta, pikërisht në bazë të Nenit 11, do ta bllokonte menjëherë masën. E cila, ndër të tjera, do të ishte në rrezik serioz para Gjykatës Kushtetuese. Partia e Antonio Tajanit është kundër bashkimit të Romës me bordin e Trump, “një gur varri mbi të drejtën ndërkombëtare””,vijon Corriere della Sera.
Ndërkohë që Gjermania dhe Britania e Madhe, nuk kanë bërë ende një deklaratë nëse do e pranojnë apo jo ftesën e Trump, e duket se po vëzhgojnë në heshtje zhvillimet.
Bordi i Paqes u bë publik në fund të javës së kaluar dhe fillimisht u paraqit si një mekanizëm për menaxhimin e rindërtimit të Gazës. Megjithatë, statuti i tij ka ngritur pikëpyetje të forta ndërkombëtare, pasi dokumenti nuk e përmend Gazën drejtpërdrejt dhe sugjeron një rol më të gjerë global.
Sipas statutit, Bordi synon të “rikthejë qeverisjen e ligjshme dhe të qëndrueshme dhe të sigurojë paqe afatgjatë në zona të prekura ose të kërcënuara nga konflikti”, duke vepruar në vend të organizatave ekzistuese ndërkombëtare.
Formulimi është interpretuar nga diplomatë dhe analistë si një kritikë e tërthortë ndaj Kombeve të Bashkuara dhe një përpjekje për të krijuar një strukturë alternative.Deri më tani, rreth 60 shtete janë ftuar të bashkohen me Bordit e Paqes, ndërsa rreth 10 prej tyre kanë shprehur interes ose kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
Në Lindjen e Mesme, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari dhe Maroku kanë njoftuar se do t’i bashkohen nismës, ndërsa Turqia dhe Egjipti pritet të marrin një vendim së shpejti. Ndërkohë që Shqipëria dhe Kosova janë shprehur entuziaste për marrjen e ftesës, ndërsa dy ditë më parë kryeministri Edi Rama tha se do të kërkojë edhe miratimin e Kuvendit, për të konfirmuar pjesëmarrjen.





